E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pakti, Berisha e Dokle braktisin sallën e gjyqit

Një seancë më parë u pa të flisnin, pas shumë përpjekjesh për të vrarë njëri-tjetrin, dje më në fund hodhën dritë mbi paktin e bërë mes tyre. Dy kundërshtarët e “Bandës së Durrësit”, Lulzim Berisha e Indrit Dokle, largohen në mënyrë demonstrative nga salla e gjyqit pikërisht në momentin kur i penduari Adriatik Coli do të dëshmonte mbi krimet e kryera nga të dyja grupet që dikur ishin një i vetëm. Dy rivalët bëhen miq me njëri-tjetrin për të sabotuar procesin gjyqësor, duke bërë që të dështojë gjyqi dhe të ngelet në të njëjtën fazë të 1 viti më parë. Justifikimi ka qenë një vendim i dhënë nga gjykata mbi provat që do të sjellë mbrojtja në këtë proces, një pjesë e të cilave janë rrëzuar nga trupi gjykues. Pas kërkesës së avokatit Arben Qeleshi, i cili ka bërë kërkesë që të njihej me vendimin e lexuar nga gjykata, klienti i tij, i pandehuri Lulzim Berisha, i ka kërkuar gjykatës që të merrte një vendim për kërkesën e mbrojtësit të tij. Trupi gjykues, i kryesuar nga ana e gjyqtarit Gurali Brahimllari, i ka bërë me dije edhe mbrojtësve të tjerë se do të njiheshin me vendimin në fund të seancës. Menjëherë pasi prokurori i ka kërkuar gjykatës që të pyetej dëshmitari i parë, pikërisht i penduari Adriatik Coli, i cilësuari si kreu i bandës, Lulzim Berisha, është ngritur në këmbë duke kërkuar të dalë nga kafazi. Gjykata ka vendosur të bëjë 15 minuta pushim, duke iu vënë në dispozicion mbrojtësve edhe vendimin për prova. Pas nisjes së procesit, mbrojtësi i të pandehurit Lulzim Berisha ka kërkuar përjashtimin e trupit gjykues. Vetë i pandehuri ka lënë sallën, duke deklaruar se prokuroria edhe mund të jepte konkluzionet e saj përfundimtare dhe gjykata mund ta dënonte. Në këtë moment, Berisha është mbështetur në vendimin e tij nga kundërshtari Indit Dokle, i cili është ngritur dhe ka braktisur sallën. “Kam nevojë të konsultohem me dy mbrojtësit e mi. Jam injorant, nuk e kuptoj këtë çka shkruhet këtu, prandaj kam mbrojtës ligjorë. Dy mbrojtësit e mi nuk do ta vazhdojnë procesin gjyqësor pa mua”, - u shpreh Dokle duke u larguar nga kafazi dhe duke mos u lënë të drejtën avokatëve ta përfaqësojnë. Të njëjtin veprim ka kryer edhe i pandehuri Sardjan Sulejmani. Pas largimit të tre të pandehurve nga salla, janë larguar edhe mbrojtësit e tyre ligjore. Avokatët i kanë bërë me dije gjykatës se ata nuk po largohen në mënyrë demonstrative, por janë duke përmbushur dëshirat e klientëve të tyre, me të cilët edhe kanë lidhur kontrata. Avokatët mbrojtës kanë kundërshtuar vendimin e marrë nga gjykata për thirrjen e disa dëshmitarëve. Sipas tyre, në fashikullin e gjykimit nuk gjendet asnjë dëshmi e personave që kanë qenë në vendngjarje në momentin që kanë ndodhur episode të ndryshme, për të cilat edhe akuzohen të pandehurit. Avokati Riza Hicka i ka bërë me dije gjykatës se duhet të thirren të gjithë personat që kanë parë këto ngjarje, për këtë duhet që gjykata t’i vinte në dispozicion të gjitha aktet që ndodheshin në fashikuj për t’i gjetur ata. Por jo vetëm kaq. Avokati Dashnor Mullai i ka kërkuar gjykatës që të vinte për të dëshmuar Kryeministri Sali Berisha, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli dhe ish-ministri i Brendshëm, Sokol Olldashi, të cilët kanë përmendur emrat e të pandehurve nëpër fushata. Sipas tij, meqenëse ata kanë deklaruar publikisht për kapje bandash, krimesh të kryera prej tyre, të vijnë dhe të tregojnë gjithçka para gjykatës për dijenitë që kanë mbi këta të pandehur. Mullai e ka cilësuar procesin gjyqësor si një montim politik. Pas braktisjes së sallës, gjykata ka vendosur t’i dërgojë Dhomës së Avokatisë një kërkesë për masë disiplinore ndaj mbrojtësve, duke cilësuar se ata kishin shkelur etikën, si dhe kishin braktisur sallën e gjyqit në mënyrë demonstrative. Ndërsa, seanca e radhës pritet që të vijojë me dëshminë e të penduarit të bandës, Adriatik Coli.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›