E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tragjedia e Butrintit, gjendet 17-vjeçari i humbur

Është gjendur trupi i 17-vjeçarit të humbur Ndriçim Myftari, duke e çuar në pesë numrin e viktimave të tragjedisë së Butrintit. Pulombarët e RENEA-s kanë arritur që të nxjerrin trupin, pas kërkimeve të njëpasnjëshme në mesditën e ditës së djeshme. Pas verifikimit të bërë nga ana e familjarëve, u arrit në përfundimin se i riu nga Lushnja kishte humbur jetën në mbrëmjen e së dielës, duke u mbytur në liqenin e Butrintit. Trupi i viktimës është dërguar menjëherë në morgun e Sarandës, ku ka qenë daja i tij, ai i cili ka bërë edhe identifikimin e trupit të Ndriçim Myftarit. Zhdukja e Ndriçim Myftarit është bërë e ditur nga klandestinët e mbijetuar nga tragjedia dhe nga familjarët e tij. Këta të fundit deklaruan humbjen e tij duke u shprehur të bindur se 17-vjeçari ndodhej në varkën që u mbyt në ujërat e liqenit të Butrintit mbrëmjen e së dielës. Ndërkohë viktima të kësaj tragjedie kanë mbetur edhe katër persona të tjerë, mes të cilëve edhe një vajzë 3-muajshe së bashku me nënën e saj. Të mbijetuarit e kësaj tragjedie dëshmuan se tentuan të kalojnë kufirin në mënyrë ilegale, për shkak të mungesës së dokumentacionit të ligjshëm për të prekur kufirin grek. Sipas tyre, kushtet ekonomike i detyruan të lënë atdheun për të gjetur punë në Greqi, që të mund të mbanin familjet me të ardhura. Aktualisht mësohet se 13 polumbarët që kërkuan dje në liqen kanë ndërprerë kërkimet, duke lënë të kuptohet se 17-vjeçari nga Lushnja mund të jetë edhe viktima e fundit e tragjedisë së Butrintit. Mbrëmjen e 19 tetorit, një grup emigrantësh, teksa po përpiqeshin të kalonin liqenin, iu është përmbysur varka, duke e shndërruar këtë kalim ilegal në një tragjedi, që u mori jetën pesë personave.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›