PS pranon diskutimin e ligjeve me 3/5, shtyn reformën zgjedhore
Opozita është rikthyer në Kuvend, por nuk ka pranuar që të nisë punën për realizimin e reformës zgjedhore. Kryetari i grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi, nënkryetari i kuvendit, Namik Dokle, krerët e komisioneve të përhershme parlamentare, Valentina Leskaj dhe Ethem Ruka, janë kthyer të marrin pjesë dje në mbledhjen e konferencës së kryetarëve, duke shënuar kështu dhe fundin e bojkotit që socialistët i kishin bërë institucionit ligjvënës, që nga zgjedhjet vendore. Megjithëse kanë pranuar që të marrin pjesë në shqyrtimin e të gjitha nismave që kërkojnë një shumicë të cilësuar votash prej 3/5, përfaqësuesit e majtë nuk kanë dashur të nxitojnë për nisjen e punës për reformën zgjedhore, ndërkohë që kanë kërkuar rikthimin e aktivitetit të Kuvendit, me dy ose tri seanca plenare në javë.
Mbledhja
Nën drejtimin e kryetares së kuvendit, Jozefina Topalli, u mblodh dje Konferenca e Kryetarëve për fillimin e sesionit të pestë të Legjislaturës XVIII, ku morën pjesë kryetarët e grupeve parlamentare, nënkryetarët e Kuvendit dhe kryetarë të komisioneve parlamentare, përfaqësues të të dyja forcave politike. Ndryshe nga sa pritej, mbledhja, megjithëse pa praninë e mediave, mësohet se është zhvilluar e qetë dhe pa përplasjet e forta që mund të vinin për shkak të polarizimit të jetës politike që u konstatua menjëherë pas zgjedhjeve vendore, çka solli dhe bojkotin e opozitës. Pjesëmarrës në këtë mbledhje kanë bërë të ditur se të dyja palët janë përpjekur që të mos acarojnë situatën dhe janë treguar të matur në qëndrimet e shprehura. Kështu, është vënë re një predispozicion i përfaqësuesve të mazhorancës që të plotësojnë kërkesat e përfaqësuesve të opozitës, që kishin të bënin kryesisht me seancën e parë, atë të së hënës dhe për kalendarin e punimeve. Mësohet se mazhoranca ka pranuar kërkesën e Ruçit, që në seancën e parë të flasin kryetarët e grupeve parlamentare, ashtu siç edhe ka pranuar të nisin diskutimet e atyre projektligjeve që kërkojnë një shumicë të cilësuar votash, përfshi këtu edhe atë për Gjykatën Administrative. Por kjo me një kusht që, para se ato të kalojnë në seancë, të diskutohet më parë nga e para në komisionet respektive parlamentare. Pavarësisht vullnetit për të diskutuar këto ligje, që qëndrojnë në sirtarët e Kuvendit prej vitesh tashmë, socialistët kanë bërë të ditur se kjo nuk duhet të kuptohet nga mazhoranca se edhe vota e tyre do të jetë domosdoshmërish pro tyre, duke theksuar se gjykimi për çdo ligj dhe nen do të jetë në bazë të përmbajtjes së tij. Gjithashtu, mësohet se përfaqësuesit e majtë në funksion edhe të kursit të tyre të ri politikë, kanë kërkuar ridimensionimin e rolit kontrollues të Kuvendit ndaj ekzekutivit dhe kjo, nëpërmjet interpelancave apo seancave të pyetjeve. Ndaj, ata kanë kërkuar që Kuvendi të mblidhet jo vetëm një herë në javë, siç edhe mblidhet deri më tani, por mundësisht dy ose tri herë.
Reforma
E vetmja pikë për të cilën palët në këtë mbledhje nuk kanë rënë dakord, ka qenë ajo e reformës zgjedhore. Ndërsa kryetarja e Kuvendit ftoi kryetarët e grupeve parlamentare të nisin punën për ngritjen e komisionit për Reformën zgjedhore, përfaqësuesit socialistë janë shprehur të rezervuar për këtë çështje, duke kërkuar që të mos bëhet me nxitim. Nga burime pranë kësaj mbledhjeje, bëhet e ditur se kreu i grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi, ka shprehur vullnetin e socialistëve për të zhvilluar reformën zgjedhore, por ka bërë të qartë se ajo nuk mund të zhvillohet pa u krijuar më parë kushtet e nevojshme.
Debati mes Ruçit e Topallit, në Konferencën e Kryetarëve
Jozefina Topalli: Mirëdita! Në radhë të parë dua t’ju uroj mirëseardhjen përfaqësuesve të opozitës dhe një sesion të mbarë të gjithëve. Përpara keni një draftprogram dhe draftkalendar të punimeve në komisione dhe seancë plenare. Unë pres nga të gjithë një angazhim të madh, pasi përpara kemi projektligje, miratimi i të cilëve është shumë i rëndësishëm për proceset integruese. Seanca e parë, siç dihet, do të bëjë dhe hapjen e sesionit parlamentar, prandaj në të do të miratohen vetëm Kalendari dhe programi i punimeve.
Gramoz Ruçi: Unë, së pari, dua të shpreh një kërkesë që ka të bëjë pikërisht me seancën e parë. Përpara se të kalohet në miratimin e kalendarit dhe atë të programit, duhet të programohet në rendin e ditës edhe koha e mjaftueshme që kryetarët e grupeve parlamentare të mund të mbajnë një fjalim me rastin e hapjes së sesionit parlamentar.
Topalli: Nuk besoj se përbën problem një gjë e tillë, ndaj besoj se edhe përfaqësuesit e mazhorancës bien dakord.
Ruçi: Së dyti, shoh që në kalendar keni përfshirë dhe të gjitha ato projektligje që kërkojnë një shumicë të cilësuar votash. Nuk kam asgjë kundër kësaj, por ajo që dua të them është se ne kërkojmë që të rikthehen për diskutim në seancë plenare të gjitha ato nisma të cilat janë diskutuar pa qenë prezente opozita. Gjithashtu, duhet të kthehen edhe ato nisma që qëndrojnë në sirtarët e Kuvendit prej gati dy vjetësh, pasi është normale që ato duhen përshtatur me zhvillimet e reja, po ashtu edhe me nevojat e reja që mund të kenë ministritë përkatëse. Kjo nuk do të thotë që edhe vota jonë do jetë detyrimisht pro, pasi për të do të vendosim në varësi të qëndrimeve tona politike.
Topalli: Megjithëse një pjesë e këtyre nismave janë shqyrtuar, ne mund të të krijojmë mundësinë t’i diskutojmë në komisione, por natyrisht nuk duhet që kjo të shfrytëzohet nga opozita për t’i zvarritur ato pambarimisht.
Ruçi: Si grup parlamentar kërkojmë që, përveç seancës plenare të së enjtes, të mund të zhvillohen dhe seanca të tjera si ditën e hënë dhe ditën e mërkurë, ashtu siç parashikon rregullorja dhe kjo, për t’i krijuar mundësi Kuvendit të luajë rolin e tij kontrollues ndaj qeverisë.
Topalli: Nëse një gjë e tillë është e parashikuar në rregullore, nuk ka asgjë që ta pengojë, por besoj se në seancat e para ne s’kemi shumë projektligje për të miratuar.
Jemin Gjana: E shoh këtë kërkesë si të ekzagjeruar, pasi, nëse do të bënim seanca dy apo tri herë në javë, nuk do kishim kohë që të punonim në komisione.
Namik Dokle: Unë jam shumë dakord që edhe komisionet duhet të punojnë, por besoj se është po aq e rëndësishme sa procesi ligjvënës, edhe procesi kontrollues i Kuvendit ndaj qeverisë. Ndaj, mendoj se duhen balancuar këto dy funksione të Kuvendit, aq më shumë kur këto seanca me rregullore bëhen pasditeve, gjë që nuk pengon punën në komisione. Në këto seanca duhet që t’u krijohet mundësia deputetëve që të zhvillojnë interpelanca me ministrat apo Kryeministrin.
Topalli: Dua të shpreh edhe një nevojë tjetër, duke ju bërë thirrje që të hapim diskutimin mbi reformën zgjedhore. Ndaj, është e domosdoshme që të nisim punën me ngritjen e komisionit përkatës.
Ruçi: Më shumë sesa ju për reformën zgjedhore, jemi ne si opozitë të interesuar, pasi jemi të penalizuarit, sepse na janë vjedhur votat. Por nuk mendoj se kjo është një çështje që mund të marrë zgjidhje vetëm se e thatë ju këtu në këtë tryezë. Ajo duhet të marrë kohën e duhur në një moment më të vonë, dhe jo në këtë konferencë.