E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pakti i Rames Malaj Mundesi per kapitull te ri

Pakti me dhjetë pika që Edi Rama e bëri publik të premten, u është bërë i njohur deputetëve socialistë, pas tre ditësh, në mbledhjen e tyre të radhës këtë të hënë. Në një takim me dyer të mbyllyra  ku  mungonte kreu socialist, janë prezantuar dhjetë kërkesat të cilat nëse maxhoranca i pranon, do t’i hapnin rrugë votimit të ligjeve me shumicë të cilësuar nga  deputetët e majtë. Deputeti Arben Malaj e sheh paketën si një mundësi që i hap  rrugë zgjidhjes së ngërçit politik.

“Është momenti që patjetër të diskutohet për të dalë nga kjo krizë permanente dhe për të krijuar një shpresë të re për reformat thelbësore që ka vendi. Në këtë kontekst çdo iniciativë për një pakt plotëson diçka që mungon në ambientin politik shqiptar”, tha deputeti Arben Malaj.

Deputeti Malaj thotë se për  dështimin e votimit të ligjeve me 3/5 në seancën e kaluar plenare, mbajnë përgjegjësi të dy palët. Në vlerësimin e tij këto ligje duhet të votohen, por duke vënë në dukje që maxhoranca të pranojë rishikimin e tyre.

“Nuk duhet ta fshehim faktin që mosmiratimi i ligjit me shumicë të cilësuar ku mungon dhe përgjegjshmëria edhe e maxhorancës, për të bashkëpunuar qoftë edhe duke u lodhur në dëshirën për të bashkëpunuar, tashmë e humbi rëndësinë imediate për të bindur lidershipin në Europë se politika shqiptare kishte vënë prioritetet e vendit mbi debatet e brendshme politike. Kështu që, nuk jemi në të njëjtin presion por natyrshëm çdo vonesë për ligjet që janë të përqëndruar në reforma të rëndësishme në gjyqësor dhe në ekonomi duhen eleminuar në mënyrë maksimale”, theksoi ai.

Ligjet që kërkojnë edhe votën e opozitës, nuk janë hequr nga axhenda e punës së kuvendit. Miratimi tyre u konsiderua i rëndësishëm, pasi kjo do të vlerësohej pozitivisht në progresraportin e komisionit europian për Shqipërinë që publikohet më 12 tetor.

Taulanta Boja

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›