E Shtunë, 31 Tetor 2026

Elbasan, Bizneset: Po kthehemi tek shkëmbimi mall me mall

Popa: Kërkojmë përshkallëzimin e TVSH-së, kredi me interesa të ulëta dhe shmangien e burokracive



Mungesa e likuiditetit në treg ka bërë që për shkëmbimet tregtare të përdoren edhe metodat e vjetra të tregtisë

ELBASAN- Kriza ekonomike, interesat e larta të kredive, mungesa e likuiditetit por edhe burokracitë në dogana po kthehen në një problem mjaft të mprehtë për bizneset në vend. Edmond Popa, sekretar i Dhomës së Tregtisë në Elbasan thotë se pikat më shqetësuese të ngritura nga biznesi sot kanë lidhje me shkallëzimin e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, uljen e interesave bankare për të lejuar kreditimin në lekë dhe heqjen e referencave doganore sidomos me vendet e BE-së. Elbasani po e vuan mjaft këtë situatë dhe në vështirësi janë sidomos firmat e ndërtimit. Rënia e fuqisë blerëse dhe mungesa e kredive ka krijuar një zinxhir që mund të sjellë shumë falimente njëherësh.

Sipas Popës, në vështirësi janë edhe firmat prodhuese.
"Lidhur me shkallëzimin e TVSH-së doja të thoja se ka sektorë që duhen parë ndryshe si psh: Libri Shkollor, lëndët e para të ndërmarrjeve prodhuese apo edhe shumë elementë të tjerë jetikë. 20% TVSH shpesh është e papërballueshme dhe për ndërmarrjet shkakton rritjen e çmimit pasi kostoja e prodhimit del më e madhe. Janë gjithsej rreth 50 firma prodhuese në Elbasan që hasin vërshtirësi. Në sektorët delikatë duhet parë me përparësi shkallëzimi i TVSH-së, që kjo të mos jetë standarde", - tha ai.

Një tjetër kërkesë ka lidhje me uljen e interesit të kredive nga bankat e nivelit të dytë. Duket se kreditë janë bërë të vështira për biznesin për shkak të interesit të lartë. Në këtë kohë ka pak para në treg dhe firmat janë duke vuajtur moslikuidimin e produkteve. Shumica e bankave preferojnë të japin kredi në euro ndërsa bizneset janë të frikësuar nga luhatja në kursin e këmbimit. Muungesat e likuiditetit, sipas Popës, mund të bëjë që shumë kompani të falimentojnë. Madje sipas tij, në disa raste ka filluar të përdoret forma më e vjetër e shkëmbimit, ajo mall me mall. "Kështu mund të krijohet një rrjet zinxhir që mund të çojë firmat në vështirësi të mëdha financiare", - tha ai.

Firmat importuese hasin edhe një tjetër shqetësim që ka lidhje me çmimet e references. Ky fakt është ngritur disa herë nga grupet e biznesit. Regjistrat me çmimet e referencës mbeten të pandryshuar ndërkohë që tregu lëviz dhe çmimet gjithashtu. "Shumë biznese furnizohen me mallra nga vendet e BE. Pse duhet të ketë çmime referuese të pandryshuara kur dihet lëvizja e valutës dhe ulja e çmimit të mallrave në këtë kohë krize. Ne kërkojmë që të hiqen çmimet e referencës të paktën për vendet e BE dhe të merren faturat blerëse të firmave", - tha Popa.


 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›