E Diel, 1 Nëntor 2026

OSBE, Bosch: Kompromisi për bojkotin, mbi baza kushtetuese

Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Robert Bosch, vlerëson rekomandimet e Këshillit të Evropës për t’i dhënë fund bojkotit të opozitës. Në një dalje dje për mediat, ambasadori i OSBE-së tha se zgjidhja e bojkotit duhet të bëhet brenda kuadrit ligjor dhe kushtetues. Ai vlerësoi idenë që kreu i shtetit, Bamir Topi, të jetë negociatori i mundshëm, duke qenë garant i mbrojtjes së Kushtetutës. “Këshilli i Evropës sugjeron që kompromisi të jetë një hap që duhet të hedhin të gjithë se bashku. Më pëlqen fakti që iu dha një rol Presidentit të Republikës. Presidenti duhet të jetë mbi palët dhe ai do të dalë mbi to. Nuk besoj se do të binte dakord me një konsensus që shkel Kushtetutën. Duhet të jetë një kompromis që duhet të mbrojë ligjin dhe Kushtetutën. Ne ndërkombëtarët jemi këtu, pikërisht për të garantuar këtë dhe nuk besoj se do të ketë ndonjë lloj kompromisi që do të thyejë Kushtetutën”, - tha Bosch. Ambasadori i OSBE-së u shpreh se kompromisi politik nuk duhet të shkelë ligjin dhe Kushtetutën dhe konkretisht pavarësinë e gjyqësorit dhe të vendimeve të tij.
I pyetur më tej nga media në lidhje me zgjidhjen e bojkotit, Bosch iu referua propozimeve që erdhën nga Këshilli i Evropës. Gjithashtu, për herë të parë, Bosch shprehu angazhimin e ndërkombëtarëve për të luajtur rolin e ndërmjetësit. “Sa herë që kemi 2 palë që mendojnë ndryshe, duhet arritur një lloj kompromisi, sepse kjo nuk është një ndeshje futbolli ku ka vetëm një fitues, por duhet të respektohet interesi i vendit. Shpresoj që të zbatohet rekomandimi që do të jepet nga Këshilli i Evropës. Nëse na kërkojnë, ne ndërkombëtarët angazhohemi të luajmë ndërmjetësin, por ju përket juve të merrni hapin e pare”, - tha më tej ambasadori i OSBE-së. Referuar rezolutës së Këshillit të Evropës për bojkotin e opozitës në Shqipëri, e cila pritet të miratohet sot në Asamblenë Parlamentare të KiE-së, propozohet që opozita të hyjë menjëherë në Kuvend dhe të luajë rolin e saj ndërsa qeverisë i kërkohet ngritja e një komisioni hetimor parlamentar për të hetuar zgjedhjet. Sipas rezolutës që i është dërguar Asamblesë së Përgjithshme, bojkoti i opozitës po pengon zhvillimin e vendit. Propozimet e përmendura nga reporterët janë pranuar edhe nga kreu i qeverisë, Berisha, i cili publikisht ka pranuar ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar. “Komiteti i Monitorimit i kërkon qeverisë dhe opozitës shqiptare t’i japin fund krizës politike dhe të marrin përgjegjësitë e tyre me qëllim procedimin me reformat jetike. Qeveria duhet të ngrejë, pa vonesa, një komision hetimor parlamentar për hetimin e zgjedhjeve të qershorit 2009 dhe opozita duhet të kthehet në Parlament dhe të angazhohet plotësisht në aktivitetin e tij”, - thuhet në rezolutë që pritet të miratohet ditën e sotme.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›