Letra e Topallit për KiE-në: PS mbeti jashtë delegacionit prej bojkotit
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, në datën 25 janar iu drejtua me një letër zyrtare Komisionit të Rregullores në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ku e informonte atë për përbërjen e delegacionit shqiptar. Në këtë letër, Topalli sqaron se Partia Socialiste ndodhet në bojkot parlamentar që nga dita e parë e fillimit të punimeve. Në respektim të rregullores që kërkon konsultim me kryetarët e grupeve parlamentare për delegacionin, Topalli shprehej se PS-ja nuk ka asnjë kryetar që mund të konsultohej. Megjithatë, ajo shprehej në letër se vendi për PS-në mbetet i hapur për t’u zënë në momentin që deputetët e PS-së të zënë vendin e tyre në Kuvend. “Ju lutem, më lejoni t'ju informoj se deputetët socialistë kanë bojkotuar Parlamentin që nga dita e parë. Si pasojë, ata nuk kanë marrë betim dhe ata nuk kanë zgjedhur ende kryetarin e grupit të tyre. Në mungesë të kryetarit të grupit socialist nuk ishte askush për të diskutuar në lidhje me emrat e përfaqësuesve të PS-së (siç kërkohet me Rregulloren e Punës), por kam lënë vendin e tyre bosh deri në fund të bojkotit të tyre”, - shkruan kryetarja Topalli në letrën e saj drejtuar Këshillit të Rregullores. Më pas, Topalli shkruan: “Unë kam kërkuar vazhdimisht nga PS-ja për të ndaluar bojkotin dhe t’i bashkohet Parlamentit për të mbushur këto vende bosh dhe të përcaktojë emrat e delegacionit shqiptar në Asamble”. Në letrën e saj, Topalli shprehet se Kastriot Islami është vendosur si zëvendësues deri në momentin që PS të përcaktojë vetë emrat. “Z. Kastriot Islami (PS) ka qenë një anëtar i delegacionit dhe raportues për Gjeorgjinë. Emri i tij është lënë si një zëvendësim derisa Partia Socialiste të përcaktojë vetë emrat”, - thuhet në letër. Kryetarja e Kuvendit sqaron më tej se ka respektuar procedurat e rregullores. “Në fillim të sesionit të ri, në bazë të nenit 7, pika 3 të Rregullores së Punës "Kryetarja e Kuvendit, në konsultim me grupin e kryetarëve, përcakton listën e anëtarëve të delegacioneve të Kuvendit të përhershëm pranë organizatave ndërkombëtare. Përbërja e tyre duhet të përfaqësojë, sa më shumë të jetë e mundur, përmbajtjen politike të Kuvendit. Gjithashtu, në pajtim me Rregulloren e Punës, pati konsultim me kryetarët e grupeve parlamentare dhe gjithmonë duke respektuar Rregulloren e Punës dhe përbërjen, u njoftua për të përbërja parlamentare”, - shkruan kryetarja e Kuvendit. Ajo më pas, duke iu referuar shtypit të ditës, shprehet se PS po vijon bojkotin. Në fund të letrës së saj, Topalli shkruan: “Në momentin që grupi socialist do të hyjë në Parlament dhe të zgjedhin kryetarin e grupit Parlamentar, unë do të konsultohem me të (siç kërkohet në Rregulloren e Punës) dhe do të dërgoj emrat që ata vetë do të vendosin për anëtarët socialistë dhe zëvendësuesit. Siç mund ta shikoni, vendet e anëtarëve socialistë në Asamble janë të njëjta me ato të legjislaturës së mëparshme, ndërkohë që zëvendësuesit socialistë janë më shumë sesa legjislatura e mëparshme”.