E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pakti ne parlament Ruci Reforma brenda marsit 2012. Patozi Pakti i PS pseudokauze

Opozita përcakton afate për 10 kushtet e saj. Pakti kombëtar i socialistëve, i detajuar nga kreu i grupit, Ruçi krahas reformës parlamentare dhe asaj zgjedhore, përfshinte dhe kërkesën për një guvernator dhe kryetar të Këshillit të Lartë të Drejtësisë konsensual, kufizim imuniteti si dhe një tryezë për ndryshimin e kushtetutës. Por kërkesat nuk u panë me vend nga demokratët.

“Të ngrejmë menjëherë një komision të përbashkët parlamentar AD HOC për të miratuar brenda muajit dhjetor 2011, reformën institucionale dhe të parlamentit, bazuar në të gjitha defektet e evidentuara nga Komisioni Europian. Të vendosim me marrëveshje përfundimin e reformës zgjedhore brenda muajit mars 2012”, tha Ruçi.

“Për ta thënë me dy fjalë dhe jo me dhjetë pika. Kjo paketë apo i ashtuquajturi pakti i Edi Ramës është një pseudokauzë e kutisë që u përdor pa mëshirë dy vjet për të mos ardhur në parlament”, tha Astrit Patozi, kryetar i Grupit parlamentar të PD-së.

Një letër e përbashkët që Ruçi kërkoi t’i drejtohej Prokurorisë së Përgjithshme për hetimin e 21 janarit, 2 të zgjedhurve socialistë, ishte një tjetër pikë e nxehtë që shkaktoi replika mes palëve.

“Të thërriten të gjithë personat me imunitet parlamentar ose me detyra të tjera shtetërore që kanë rezultuar të përzier me apo pa të drejtë me botën e krimit apo të korrupsionit nën dritën e publikimit të kabllogrameve të diplomacisë më të fuqishme të botës dhe të kërkojmë heqjen e imunitetit nga parlamenti të çdokujt që organi i akuzës vlerëson se duhet t’i nënshtrohet një hetimi të plotë”, theksoi Ruçi.

“Duhet t’i bëjmë me dije zotit Rama se ne nuk mund t’i shkruajmë letra prokurores së përgjithshme pasi marrëdhënia jonë me atë institucion kushtetues rregullohet me ligj”, theksoi Patozi.

Edhe kjo seancë nuk mundi të kalojë në votë ligjet me shumicë të cilësuar, pasi në rast rrëzimi, sipas rregullores këto drafte duhet të qëndrojnë në sirtarët e kuvendit  6 muaj para se të rifuten për shqyrtim.

Elona Gjylmi
Azhornuar së fundi ( e enjte , 29 shtator 2011 )

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›