E Diel, 1 Nëntor 2026

Pakujdesia e qytetarëve shkakton zjarre të shumta

Gjakovë, 6 gusht -  Zjarri ka përfshirë të premten pasdite oborrin e fabrikës  së përpunimit të enëve “Ena” në Gjakovë, si pasojë e pakujdesisë së qytetarëve. Jashtë oborrit të fabrikës qytetarët kanë ndezur plehrat. I ndihmuar edhe nga era e fuqishme, zjarri është shpërndarë në gjithë zonën e oborrit të fabrikës, ndërsa për pasojë tymi është përhapur në një zonë të madhe në pjesën veriore të qytetit të Gjakovës.  Mirëpo, intervenimi i shpejtë i brigadës së zjarrfikësve ka bërë që ai të shuhet, para se të përfshijë edhe objektin e fabrikës.

Pashtrik Xërxa, komandant i Brigadës së Zjarrfikësve në Gjakovë, tha se “vetëm gjatë ditës së premte, deri në orën 15.00 është dashur të intervenojnë në 8 raste të zjarreve. “Gati çdo ditë kemi nga 12-14 intervenime në pjesë të ndryshme të komunës”, ka pohuar Xërxa.

Vetëm gjatë muajit korrik, sipas një raporti të kësaj brigade, zjarrfikësit kanë intervenuar në 85 raste, në prona shoqërore e individuale.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›