E Diel, 1 Nëntor 2026

Ekstradohet nga Kroacia i dyshuari për një rast vrasjeje të vitit 1999

Prishtinë, 7 gusht - Njësiti për ekstradime i Policisë së Kosovës ka ekstraduar të premten në mbrëmje nga Kroacia të dyshuarin Skender V., për një rast vrasje nga viti 1999 dhe ai tani ndodhet në Qendrën e paraburgimit në Prizren dhe do të paraqitet para gjyqtarit të procedurës paraprake në Prizren.
Pas lëshimit të një urdhër arresti ndërkombëtar, me dyshimin e bazuar se Skënder V. (1971) ka kryer veprën penale të vrasjes, ai është arrestuar nga autoritetet kroate, raporton KosovaLive.
Një informatë e Policisë së Kosovës bën të ditur se i arrestuari dyshohet për kryerjen e veprës penale vrasje në vitin 1999, ndërsa urdhër arresti ndërkombëtar për të dyshimtin ishte lëshuar në vitin 2009 për t’u arrestuar nga autoritetet kroate në vitin 2010.
Pas marrjes së informatave se i personi i dyshuar për vrasje është arrestuar, Ministria e Drejtësisë e Republikës së Kosovës kishte iniciuar procesin e ekstradimit dhe ai u është dorëzuar autoriteteve policore të Republikës së Kosovës, njësisë së ekstradimeve, dje më 6 gusht 2010 në Aeroportin e Zagrebit.
Njësiti i ekstradimeve ua ka dorëzuar të dyshuarin mbrëmë vonë hetuesve rajonal të Prizrenit, në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, dhe ai nën përcjelljen policore është dërguar në Qendrën e paraburgimit në Prizren në mënyrë që sot të paraqitet para gjyqtarit të procedurës paraprake në Prizren.
Ky është ekstradimi i pestë me radhë që është realizuar nga Policia e Kosovës që nga themelimi i këtij njësiti në vitin 2010.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›