E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vdes në aksident veprimtari Sabit Veseli

Mitrovicë, 7 gusht - Një i vdekur dhe një i plagosur rëndë është bilanci i
fatkeqësisë së komunikacionit që ka ndodhur të premten pak para mesnate në fshatin Koshtovë të Mitrovicës. Në këtë fatkeqësi ka humbur jetën Sabit Veseli, ndërsa rëndë është plagosur Shaip Ahmeti, drejtues i makinës.
Sipas policisë, të premten rreth orës 22:30, në fshatin Koshtovë të Mitrovicës, nga
pakujdesia e shoferit të veturës së tipit “xhip”, ka ngjarë përplasja me një kamion, me ç’rast bashkudhëtari 52 vjeçar në xhip ka vdekur.
Shoferi i xhipit është shtetas kosovar, por edhe zviceran, për çka është informuar ambasada zvicerane në Kosovë. Meqë gjendja e tij shëndetësore është e rëndë, pritet transferimi i tij në njërin nga spitalet e Zvicrës, ka thënë Nystret Mehmeti nga policia e Kosovës.
Policia është duke i kryer hetimet rreth fatkeqësisë, kurse shoferi i kamionit, pas marrjes së deklaratës, është lëshuar për në shtëpi.
Me rastin e vdekjes së veprimtarit Sabit Veseli, kryeministri i Kosovës ka ngushëlluar familjen Veseli. Në telegramin e ngushëllimit thuhet se “emri dhe vepra e Sabit Veselit janë të lidhura ngushtë me demonstratat e studentëve të vitit 1981 në Mitrovicë, kontributi i veçantë në radhët e LPK-së dhe në ngritjen dhe fuqizimin e UçK-së”.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›