E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Pala shqiptare e di mirë sa rëndësi kanë minoritetet”

19/09/2011  Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme greke, deklarohet pas vizitës së Lambronidis

“Vizita e Lambronidis u bë me iniciativën e palës greke”

Marrëdhëniet greko-shqiptare dhe qëndrimet e Athinës zyrtare janë të lidhura ngushtë me qëndrimet e Shqipërisë ndaj pakicave. Kështu është shprehur publikisht zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme greke, Gregory Delavekouras, i pyetur nga gazetarët grekë lidhur me konkluzionet e vizitës së kryediplomatit Lambrinidis në vendin tonë gjatë javës që u mbyll. "Pala shqiptare e di shumë mirë sa rëndësi ka mbrojtja e të drejtave të pakicave", tha ai, duke përmendur rëndësinë që paraqet minoriteti grek në vendin tonë për thellimin e marrëdhënieve mes nesh. "Ne shpresojmë që vërtet të mund të shohim progres në ecurinë e reformave të Shqipërisë, sepse kjo është shumë e rëndësishme jo vetëm për të, por edhe për Greqinë, fqinjin e Shqipërisë. Është e rëndësishme që Shqipëria të ecë përpara me këto reforma, pikërisht sepse ato përmbajnë elemente të rëndësishme edhe për minoritetin grek, elemente që na interesojnë shumë, siç ju mund të kuptoni. Pala shqiptare është e vetëdijshme se barometri në marrëdhëniet greko-shqiptare është gjendja e pakicave dhe mbrojtja e të drejtave të tyre, e ne shpresojmë ta shohim këtë në kohën e ardhshme", tha saktësisht ai. Ndërsa lidhur me vizitën e Lambronidis në Tiranë, ai u shpreh se "kjo ishte një iniciativë greke". “Ajo ishte një propozim i paraqitur nga Lambronidis në Këshillin e Ministrave të Jashtëm të BE në qershor. Të dy ministrat e Jashtëm, si ai i Greqisë dhe ai i Italisë, përcollën një mesazh shumë të fortë ndaj udhëheqjes politike dhe opinionit publik shqiptar. Ishte një mesazh pozitiv: kjo Shqipëri mund të lëvizë përpara në rrugën e saj evropiane. Por në të njëjtën kohë ishte një mesazh që theksoi përgjegjësitë që të gjithë kanë për Shqipërinë, për të ndërmarrë hapat e nevojshëm: ecja përpara me reformat dhe zbatimi i dymbëdhjetë pikave të paraqitura nga Komisioni Evropian, në mënyrë që procesi evropian i Shqipërisë të mund të fillojnë të lëvizë përsëri", shtoi Delavekouras.

Marrëdhëniet

Ministri i Jashtëm i Greqisë, Lambrinidis, së bashku me homologun e tij italian Gianfranco Fini ishte përpara disa ditësh në Shqipëri, për të negociuar me palët në lidhje me plotësimin e kritereve që duhet të përmbushen për integrimin e vendit në BE. Të dyja këto vende si Italia, ashtu dhe Greqia janë mbështetëse të forta të Shqipërisë në këtë proces. Por në ndryshim nga Italia, Greqia jo pak herë e ka kushtëzuar qëndrimin e saj me plotësimin e kërkesave sidomos në lidhje me minoritarët grekë në Shqipëri. Në lidhje me këtë çështje, duhet theksuar se shteti grek ka një ndjeshmëri të madhe, po të kemi parasysh dhe një sërë incidentesh që kanë ndodhur në Himarë, apo dhe pensionet që u ka lidhur minoritarëve në zonën e jugut. Gjithsesi është e ditur se me futjen e Shqipërisë në BE, do të fashiteshin një herë e mirë qoftë pretendimet për minoritetet, por qoftë dhe deklaratat me sfond nacionalist apo shovinist që vijnë nga shoqata të ndryshme pangreke. Ndoshta kjo është dhe arsyeja që Greqia ka këmbëngulur më shumë se një herë për integrimin e shpejtë të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, i cili duket se nuk po pengohet më nga vendet anëtare, por nga vetë politika shqiptare.

Dule kundër censusit

Vangjel Dule, i shprehur pas takimit me një delegacion të Këshillit të Evropës kundër ligjit të ri të regjistrimit, tha se “procesi shkel rëndë të drejtën e vetëdeklarimit, penalizohet kjo e drejtë e vetëdeklarimit dhe dekonspirohet konfidencialiteti”. Nëse kjo nuk do të ndryshojë, sipas tij, janë tri elemente të cilat e bëjnë pjesëmarrjen në regjistrim të minoriteteve të pamundur.

Takimi me Berishën

Kryeministri Berisha vlerësoi se vizita e ministrave të Jashtëm të Greqisë dhe Italisë është një ndihmë e madhe dhe i siguroi të dy ministrat se projekti i integrimit evropian ka qenë, është dhe do të jetë projekti më madhor për shqiptarët, dhe e tërë puna e qeverisë dhe e institucioneve shqiptare është e fokusuar në realizimin e këtij projekti dhe në plotësimin e 12 prioriteteve.

Marrëveshja për ujërat

Rrëzimi i marrëveshjes së ujërave me Greqinë, nga ana e Gjykatës Kushtetuese, u duk sikur do t’i zbehte paksa marrëdhëniet me shtetin fqinj, madje dhe vetë Kryeministrin Papandreu. Gjithsesi, duket se ankimimi i bërë nga ana e PS lehtësoi barrën e qeverisë në këtë proces delikat, pasi nuk janë vënë re shenja ftohjeje të cilat mund të hapnin problemi në procesin e integrimit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›