Palestina në OKB, Shqipëria në anën e JO-së amerikane. BE kërkoi votë PRO

Erdogan duke folur në takimin e vendeve të Ligës Arabe
Në Asamblenë e Përgjithshme të këtyre ditëve në OKB do të ketë një çështje mbi të tjerat: ajo palestineze, e provokuar nga Abu Mazen, udhëheqësi i Autoritetit Kombëtar Palestinez, i cili i ka hipur avionit për në New York me idenë për tu kthyer mbrapsht në mos me lajmin e Palestinës i shtet anëtar i OKB-së, të paktën me lajmin e Palestinës me statusin e shtetit jo anëtar, gjë e ngjashme me statusin e Vatikanit.
Nuk duket e lehtë. SHBA-të janë të shqetësuara, pasi kërkesa e Abu Mazenit për të njohur shtetin e Palestinës bëhet nga pozita unilaterale e të pakoordinuara me të tjerë, dhe kjo konsiderohet si një minë në procesin e paqes të filluar me kohë, e të bazuar tek negociatat dy e shumë palëshe. Kreu i AKP-së do të mbajë fjalën e vet në Asamble, dhe do të rreshtojë arsyet pse e bën këtë kërkesë. Menjëherë më pas ai do tia dorëzojë këtë kërkesë Ban Ki Munit, dhe në vijim do të jetë radha e diskutimit në Këshillin e Sigurimit. SHBA-të e kanë të lehtë atje, pasi mund të vendosin veton, por diplomatët amerikanë duan të arrijnë gjithçka pa qenë nevoja të shtjenë në punë të drejtën e vetos, e cila do të ishte konsum e investim i madh për superfuqinë e vetme të planetit. Ende nuk janë përcaktuar qëndrimet e të gjithë anëtarëve të tjerë të Këshillit të Sigurimit, ku bën pjesë dhe Bosnja, përveç të tjerash; mbi këtë të fundit po ushtrohen presione të jashtëzakonshme. Nga njëra anë është Brukseli, që i kërkon Bosnjës të rreshtohet me të (ndonëse nuk ka akoma një qëndrim të Brukselit), nga ana tjetër janë SHBA-të, që kërkojnë të refuzohet ideja e Palestinës si shtet anëtar i OKB-së.
Disa të përditshme shqiptare linin sot të kuptohej se edhe Shqipëria është në pikë të hallit në këtë mes. Por duhet thënë se vota jonë vlen vetëm për në Asamble, ku do të votohet për pretendimin minimal të Abu Mazenit, dmth atë të njohjes së statusit si shtet jo anëtar, gjë që arrihet me 2/3 e votave të delegacioneve (janë mbi 190). Kuptohet, në këtë rast nuk vihet në kandar ndonjë gjë e madhe, rrjedhimisht nuk bëhet fjalë për ndonjë mundim të madh për palën shqiptare. Por edhe sikur të kërkohej ndonjë mundim i madh, Shqipëria e ka gati zgjidhjen: është me SHBA-të. Këtë ka lënë të kuptohet Tritan Shehu në një intervistë sot ne shtypin e dites.
Palestina ka nderkohe mbeshtetjen e forte te BE-së dhe Turqisë. Kryeministri i Turqisë Tayip Erdogan ka deklaruar se njohja e shtetit të Palestinës është një detyrim jo opsion. Erdogan ka sulmuar Izraelin duke thënë se qeveria e tyre është një barrierë për paqen në Lindjen e Mesme. Ne duhet të punojmë krah për krah me vëllezërit tanë Palestinez. Kauza Palestineze është kauzë për dinjitetin human tha ai para ministrive të jashtëm të vendeve të Ligës Arabe. Është koha për të ngritur flamurin Palestinez në OKB, shtoi Erdogan.