Ndryshimi i rregullores, PS dorëzon paketën në Kuvend
TIRANË Ashtu siç ishte paralajmëruar, Partia Socialiste ka dorëzuar dje paketën e re të propozimeve, që konsistojnë në ndryshimin e rregullores së Kuvendit. Përmes kësaj pakete, PS-ja kërkon rikthimin e votës së fshehtë në zgjedhjen apo shkarkimin e anëtarëve të organeve kushtetuese, ndërkohë që propozon heqjen e seancave dëgjimore në komisionin e ligjeve me kandidatët para se këta t’i kalojnë për votim seancës plenare. Paketa në fjalë përbëhet nga 11 nene që prekin pikat më të debatueshme gjatë viteve të fundit në marrëdhëniet mes opozitës dhe mazhorancës. Ndër propozimet e përgatitura përfshihen edhe ato që lidhen me seancat plenare dhe me të drejtën e fjalës që kanë dhe përfaqësuesit e opozitës. PS-ja kërkon që çështjet jashtë rendit të ditës të diskutohen në fillim të seancës, ndërkohë që kryetarit të grupit parlamentar opozitar t’i jepet fjala sa herë që flet dhe Kryeministri. Gjithashtu, socialistët propozojnë dhe uljen e masave ndëshkuese për rastet e shkeljes së rregulloreve, ku masa më e rëndë të ulet nga 21 ditë në vetëm 15 ditë.