E Shtunë, 31 Tetor 2026

Palestinezët akuzojnë Netayahun për shantazh

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, po punon që t’i jap fund mundësisë për zgjidhjen me dy shtete, me insistimin e tij për praninë e Izraelit përgjatë kufijve të shtetit të ardhshëm palestinez, deklaroi sot kryenegociatori i autoriteteve palestineze, Saeb Erekat.

Erekat reagoi ndaj deklaratës së Netanyahut, të bërë të mërkurën, me ç’rast ai theksoi se Izraeli do të kërkojë vazhdimin e pranisë së vet ushtarake, përgjatë kufijve të shtetit të ardhshëm palestinez me Jordaninë.

“Izraeli duhet të sigurohet se nuk do të ketë trafikim të raketave në territoret, të cilat gjenden në afërsinë tonë dhe për ta arritur këtë, nevojitet prania izraelite në kufijtë lindor të shtetit palestinez”, ka thënë Netanyahu. Ai gjithashtu kërkoi nga palestinezët që të kthehen në tavolinën e negociatave, pa vendosur kushte paraprake.

Duke reaguar ndaj deklaratës së Netanyahut, Erekat tha:”Netanyahu po fton palestinezët që të kthehen në negociata, por në të vërtetë ai nuk po lë të hapur asnjë çështje, për të cilën palestinezët mund të negociojnë”.

Ndaj komenteve të Netanyahut dje reagoi edhe deputeti i partisë në opozitë Kadima, Meir Sheetrit, i cili theksoi se Netanyahu po shemb të gjitha gjasat për negociata paqësore dhe po dëshmon se ai nuk është i interesuar për paqe.

“Nuk ka asnjë mundësi që palestinezët të pranojnë një ofertë të tillë dhe kushdo që e bën atë, duhet të negociojë me vetveten”, tha Sheetrit.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›