E Diel, 1 Nëntor 2026

Rrezikohet procesi i pajtimit Turqi-Armeni

Kryeministri i Turqisë, Rejep Tayyib Erdogan, ka theksuar se vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Armenisë, në lidhje me kushtetutshmërinë e protokollit për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve, po e rrezikon procesin e afrimit.

Partitë opozitare në Armeni kanë kërkuar nga Gjykata Kushtetuese që të vlerësojë kushtetutshmërinë e protokollit, të nënshkruar më 10 tetor të vitit të kaluar në Zurich.

Gjykata hodhi poshtë ankesën se protokolli nuk është në përputhje me kushtetutën, për zbatimin e tij e kushtëzoi me hapjen e kufijve mes dy vendeve dhe me vendosjen e marrëdhënieve diplomatike. Erdogan theksoi se ky vendim mund ta rrezikojë procesin.

Zbatimi i plotë i protokollit parasheh edhe tërheqjen e plotë të forcave armene, nga territori i Nagorni-Karabahut në Azerbajxhan.

Përveç kësaj, vendimi i Gjykatës përmban edhe një referencë për masakrën ndaj armenëve në vitin 1915.

“Ne nuk kemi dërguar protokollin para Gjykatës Kushtetuese. E kemi paraqitur atë para parlamentit, pa kurrfarë ndryshimi. Kjo është dëshmi e sinqeritetit tonë. Armenia po tenton ta ndryshojë tekstin”, tha Erdogan.

Kufiri mes Armenisë dhe Turqisë është mbyllur nga ana e Ankarasë në vitin 1993, pas konfliktit në Nagorni-Karabah.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›