Palin për presidente të SHBA-së?
Republikanja Sarah Palin për herë të parë ka shpalosur ambiciet e saj që të garojë për presidente të SHBA-së. Intervista e saj, dhënë kanalit televiziv Fox News, gjatë së cilës shpalosi ambiciet e saj për presidente, u citua nga shumë medie tjera amerikane.
Ajo theksoi se do të garonte në zgjedhjet presidenciale në vitin 2012, nëse është e mendimit se kjo ishte në favor të vendit.
“Do të ishte absurde nëse dikush nuk mendon se si mund t’i ndihmojë më së miri vendit. Unë nuk do ta mbylli derën, e cila ndoshta do të më hapet në të ardhmen”, tha Palin.
Është spekuluar që moti se Palin kundërthënëse, e cila në zgjedhjet presidenciale në vitin 2008 ishte kandidate për zëvendëspresidente e kandidatit republikan, John McCain, është e interesuar për të kandiduar për presidente.
Megjithatë, është kjo hera e parë që Palin e pranon publikisht se ka ambicie për të kandiduar në zgjedhjet e ardhshme presidenciale në SHBA.