E Diel, 1 Nëntor 2026

Pallatet që “mbytin” ambasadat, diplomatët i kërkojnë dëmshpërblim qeverisë

Selitë diplomatike, kërkesë zyrtare ministrive dhe Gjykatës së Tiranës. Fatura financiare e kërkuar nga ambasadat shkon në dhjetra miliona euro

Ervin KOÇI

Qeveria rrezikon ta paguajë me flori dëmshpërblimin që selitë diplomatike në vend i kërkojnë shtetit shqiptar për lejimin e ngritjes në afërsi të tyre të objekteve shumëkatëshe. Prej dy muajsh në zyrat e disa ministrave dhe në Gjykatën e Tiranës është paraqitur një kërkesë zyrtare, e cila ngre pretendimin e disa prej selive diplomatike më të rëndësishme në vend, të cilat kërkojnë të dëmshpërblehen. Kompensimi i kërkuar nga qeveria shqiptare por dhe nga bashkia e Tiranës lidhet me faktin që ngritja e ndërtesave të larta (pallate ose qendra biznesi) në afërsi të selive diplomatike, jo vetëm që nuk ka respektuar kriteret e urbanistikës siç janë largësia nga objekti i rëndësisë së veçantë, lartësia, nxjerrja e dritareve dhe ballkoneve, etj., por ka vënë në rrezik edhe sigurinë e këtyre objekteve. Burime nga Ministria e Punëve Publike, kanë bërë të ditur për gazetën “Albania” se, “selitë diplomatike në pamundësi për të ndikuar në moslejimin e ngritjes së këtyre objekteve në afërsi të ndërtesave të tyre, tani në bazë të ligjit ‘Për urbanistikën’ kërkojnë dëmshpërblim nga shteti”. Sipas tyre kërkesa vjen nga ambasada si ajo e SHBA-së, Italisë, Francës, Rumanisë, Iranit dhe disa seli të tjera, të cilat nuk janë pajtuar me ngritjen e objekteve të tilla në afërsi të selive të tyre diplomatike.

Kërkesa

Kërkesa e selive diplomatike i është drejtuar prej disa kohësh Ministrisë së Drejtësisë, Ministrisë së Punëve Publike, Gjykatës së Tiranës dhe Prokurorisë së Përgjithshme. Për dieni ajo i është dërguar në një kopje edhe Këshillit të Ministrave të cilin e bënë të njohur me faktin. Burimet thanë për “Albania”-n se, “qeveria e ndodhur përballë kësaj befasie fillimisht ka fajësuar bashkinë e Tiranës për lejet dhe vendimet e dhëna në mënyrë të pa menduar për ndërtimin e objekteve të tilla në afërsi të selive diplomatike në kryeqytet”. Por sipas të njëjtave burime, kjo kërkesë është pranuar më pas nga qeveria e cila po shikon mundësinë e kompensimit financiar për selitë diplomatike, edhe pse fatura e financiare është shumë e madhe. Sipas të dhënave, vetëm për një pallat shumëkatësh të ngritur midis dy selive diplomatike në rrugën e Elbasanit, shuma e kërkuar për nxjerrjen e dritareve dhe ballkoneve nga krahët e ambasadave është 3 milion USD. Ndërkohë pretendimet janë ngritur edhe nga selitë e tjera, të cilat duket se e kanë nisur seriozisht këtë punë, me pretendimin se këto objekte të ngritura pa kriter anë cenuar hapësirat, dritën, ajrin, kanë shtuar ndotjen dhe zhurmat, si dhe kanë cenuar sigurinë e selive të tyre.

Kompensimi

Fatura financiare e pretenduar nga ambasadat e huaja në Tiranë, për objektet shumëkatëshe është e njëjtë ose më e madhe edhe se vetë objektet e ngritura aty pranë. Por jo vetëm kaq. Kjo gjë duket se do t’i kushtojë edhe qeverisë shqiptare “sa frëngu pulën”. E meqë jemi tek frëngu, kompensimin e parë lidhur me këtë çështje por me vendim qeverie e ka marrë ambasada Franceze në Tiranë. Me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave ka vendosur ë mbledhjen e tij më të fundit kompensimin në të holla të ambasadës Franceze në Republikën e Shqipërisë, duke e konsideruar si subjekt të shpronësuar. Burime nga kabineti qeveritar i thanë dje për gazetën “Albania” se, “bëhet fjalë për kompensimin mbi sipërfaqen e njohur 557,75 m2, në vlerën 17.3 milionë lekë”. Vlera e mësipërme, është vendosur që të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit dhe t’i vihet në dispozicion Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronës. Kjo e fundit, do të kryejë veprimet për kalimin e shumës në njërën nga bankat e nivelit të dytë, në emër të ambasadës franceze, në Republikën e Shqipërisë, në përputhje me procedurat për zbatimin e buxhetit të shtetit.

4 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›