Arrestohen strehuesit e Ylli Biberit
TIRANE - Arrestimi i Ylli Biberit, dy ditë më parë në Vaun e Dejës është pasuar me prangosjen e dy miqve të tij, që akuzohen se kanë përkrahur dhe e kanë strehuar të kërkuarin. Burime nga policia thanë se janë arrestuar Ernest Jahelezi dhe Gëzim Muldaka, me akuzën se kanë përkrahur 27-vjeçarin në kërkim për vrasje, i cili u prangos gjatë operacionit “Komanani” nga RENEA dhe Policia e Tiranës. Në momentin e arrestimit të Biberit, policia tha se janë shoqëruar për t’u marrë në pyetje edhe personat që ishin bashkë me të, i vëllai, si dhe Ernest Jahelezi e Gëzim Muldaka. Gjatë deklarimeve të tyre në polici, por edhe sipas informacioneve të marra në rrugë operative është zbuluar se 22-vjeçari Gëzim Muldaka, e ka ndihmuar Ylli Biberin që t’i fshihej forcave të policisë, gjatë kohës kur ishte në kërkim. Ndërsa Ernest Jahelezi është personi që ndodhej në furgonin e nisur nga Tirana dhe do ta ndihmonte të kërkuarin që të shkonte në drejtim të Tropojës. e.d