PS, kreu i Gruas jashtë listës
Aristir Lumezi
Kryetari socialist, Edi Rama, ka hequr nga lista e kandidatëve për deputetë Koordinatoren e Gruas Socialiste, Ermira Danaj. Burime nga selia rozë pohuan dje se Danaj nuk do të jetë në listat e kandidatëve socialistë, edhe pse një vit më parë ishte zgjedhur nga vetë kryetari socialist Edi Rama në krye të forumit të gruas. Koordinatorja e gruas socialiste, e cila është pedagoge për Shkencat Politike dhe Psikologji, në një nga universitetet private në Tiranë, ka drejtuar forumin e gruas socialiste gjatë këtij viti, duke sjellë një frymë të re në selinë e PS. Nuk kanë qenë të pakta tryezat rreth temave të barazisë gjinore por dhe të rolit të gruas në politikë, ndërsa forumi i gruas socialiste ka luajtur rolin e vet në lobimin e vendosjes taksative të grave në masën 30 për qind në listat e kandidatëve. Ermira Danaj është vajza e Koço Danajt, ish-këshilltar i disa kryeministrave socialistë gjatë periudhës 1997-2005. Marrëdhëniet e tij të mira me këta kryeministra, e sidomos me Ilir Metën, duket se kanë ndikuar dhe në qëndrimin e kryetarit socialist, Edi Rama, ndaj koordinatores së forumit të gruas socialiste, për të mos qenë në listat e kandidatëve të PS për deputetë. Burime pranë grupit parlamentar të PS bëjnë të ditur se në listën e PS pritet të ketë kandidate femra që vijnë si, nga shoqëria civile, ashtu dhe nga formacione të tjera politike aleate. Ndërkaq kreu socialist edhe dje ka vijuar me konsultimet e tij për listën e kandidatëve për deputetë. Burime të besueshme në PS thanë dje se Rama ka preferuar t’i presë ata në ambientet e Bashkisë së Tiranës, ku është konsultuar kokë më kokë, duke u komunikuar madje dhe vendin e tyre në listën e kandidatëve. Mësohet se ende pa përcaktuar kandidatët për deputetë mbeten qarqet e Durrësit, Tiranës dhe Gjirokastrës, ndërsa në qarqet e tjera janë përcaktuar kandidatët në vendet e para të listës. Mbetet ende e paqartë nëse vetë Rama do të jetë ose jo në listën e PS të kandidatëve për deputetë, çka do të thotë dorëheqje nga posti i Kryetarit të Bashkisë së Tiranës. Mister mbetet gjithashtu edhe përfshirja e ish-kreut socialist, Fatos Nano, ndërsa nga një vend e kanë siguruar Ben Blushi, Gramoz Ruçi, Namik Dokle, Arta Dade, Kastriot Islami etj. Pritet që brenda javës të mblidhet dhe kryesia socialiste, e cila do të miratojë listën përfundimtare.
Rama në Novoselë të Vlorës
Kreu socialist ishte në Novoselë të Vlorës, ku u premtoi fermerëve naftë pa akcizë. “Sali Berisha në vitin 2005, mori shumë vota në fshat, duke ngritur zërin në kupë të qiellit për çmimin e naftës, që atëherë ishte 600 lekë dhe për Sali Berishën ishte shumë i lartë. Ai premtoi, se me të marrë votën tuaj, do ta bënte 400 lekë çmimin e naftës. Si shumë premtime, ai nuk bëri as këtë”, u shpreh Rama.