Blushi: Do heqim akcizën e naftës për bujqësinë
Deputeti socialist, Ben Blushi, Alfred Dalipi dhe kandidati Arben Ahmetaj, siguruan banorët e Udenishtit të Korçës se pas ardhjes së PS në pushtet, do të zgjidhen shumë nga problemet aktuale të fshatit. Sipas Blushi, janë gati një sërë masash, duke filluar nga dhënia e certifikatave të pronësisë, heqja e akcizës për naftën dhe deri te mbështetja e bujqërve e fermerëve, për të nxjerrë në treg prodhimet e tyre. Për Ben Blushin, më 28 qershor, të gjithë shqiptarët duhet të largojnë me votë qeverinë e Sali Berishës, e cila ka pasuruar veten dhe ka varfëruar popullsinë. “Ne kemi një diferencë të madhe me Partinë Demokratike, e cila duket çdo ditë. Kemi një diferencë e cila nëse në rastin tonë synon të mundi varfërinë, në rastin e tyre synon të pasurojë disa njerëz që janë në pushtet, duke filluar nga familja e Sali Berishës”, tha Blushi.