Dungolli: “FSK-ja në Kosovë nis fazën operacionale në shtator”
Forca e Sigurisë së Kosovës do të fillojë së vepruari me kapacitete të pjesshme operative në shtator të këtij viti. Kështu deklaroi zëdhënësi i FSK-së, Enver Dungolli. Sipas tij, viti i ardhshëm shihet si momenti kur kjo forcë të bëhet plotësisht operative. “Duhet theksuar se tani po merremi me përgatitjet dhe përfundimin e seleksionimit të pjesëtareve të rinj, që besoj se do të inkuadrohen shpejt në FSK. Ky proces ka kaluar shumë me sukses në Ferizaj, ku për një numër 300-400 ka pasur deri në 5000 aplikantë, kryesisht të rinj të shkolluar në profile të ndryshme”,- tha Dugolli. Cikli i trajnimit të oficerëve do të përfundojë në fund të këtij muaji, ndërkohë që kjo forcë do të pranojë edhe rekrutë të rinj. Sipas Dungollit, duke u trajnuar janë mbi 1400 ish-pjesëtarë të TMK-së, që janë zgjedhur për të qenë pjesë e FSK-së. Forca e Sigurisë së Kosovës parashihet që të ketë 2500 pjesëtarë aktivë dhe 800 rezervë. Me të përzgjedhurit e deritashëm, numri shkon në rreth 2 mijë. Enver Dugolli thotë se ende nuk dihet nëse të rinj të tjerë do të rekrutohen përmes ndonjë konkursi të ri.
21 Prill 2009