Tritan Shehu: Rama po braktis me shpejtësi premtimet spekulative elektorale
Deklaratë e deputetit të PD, Tritan Shehu
Shumë shpejt kolegët e majtë po braktisin premtimet e tyre spekulative elektorale! Kam ndjekur disa deklarata të fundit të tyre për financimin e sistemit shëndetësor. Pavarësisht se vazhdojnë të jenë të turbullta, duket se kërkojnë të distancohen nga sa premtuan në fushatë. Dikush nga ata thotë se parimin marksist të “shëndetësisë falas” do ta aplikojnë në 2017. Votën e morën për 2013! Pastaj, deri më 2017 unë nuk jam i sigurt nëse ata do të jenë në qeverisje, ndoshta dhe shumë më shpejt! Mos respektimi i premtimeve është si shpata e Demokleut! Megjithatë unë i këshilloj ata, se do të ishte më mirë të tërhiqen nga absurditet, se sa të tentojnë të çmontojnë totalisht sistemin shëndetësor. Ky sistem është më i miri në themel, duhet përsosur më tej me shpejtësi, drejt përshtatjes së plotë të tij me ekonominë e tregut. Kontributi direkt duhet rritur me shpejtësi nga 3,4% në 7%. Ne ishim më të ngadaltë se sa nevojitej dhe mundej në këtë drejtim. Sidoqoftë ftesa ime për debat me ministrin e ardhshëm të shëndetësisë, mbasi të jetë 6 muaj në detyrë, është gjithmonë në fuqi.