Paloka: Nëse opozita nuk bojkoton, reforma zgjedhore mund të përfundojë në 3 muaj

Nënkryetari i grupit parlamentar të PD, Edi Paloka
Demokratët janë skeptikë për qëndrimin e opozitës sa i përket reformës zgjedhore. Ndërsa pritet të fillojë puna e komisionit të reformës zgjedhore nënkryetari i grupit të demokratëve, Edi Paloka thotë se komisioni mund ta mbyllë punën e tij brenda afati tre mujor, nëse nuk do të ketë pengesa artificiale nga opozita. “Nëse nuk pengohet mund të mbarojë edhe më shpejt sepse gjërat janë të qarta, pikat që kërkohen janë të qarta. OSBE/ODIHR ka kërkesa konkrete mbi të cilat duhet të punohet. Dhe nëse nuk do të ketë pengesa artificiale, gjithçka mund të përfundojë punën shumë shpejt. Një bojkot i opozitës do ta pengonte procesin, deri më sot për këtë arsye është penguar, nuk ka patur arsye teknike, pse nuk është bërë ndryshimi apo reformimi i Kodit Zgjedhor”- u shpreh Paloka. Ndërkaq puna konkrete në tryezë për reformën zgjedhore pritet të nisë të mërkurën e ardhshme. Në seancën që u mbajt para një jave parlamenti miratoi me votat e të gjithë deputetëve ngritjen e komisionit për reformën zgjedhore. Qëndrimi i përbashkët i mazhorancës dhe opozitës në parlament erdhi pasi palët ranë dakord në konferencën e kryetarëve për realizimin e tre prej reformave më të rëndësishme për proceset integruese, dhe që kanë të bëjnë me reformën zgjedhore, ngritjen e grupit të punës për rregulloren e Kuvendit si dhe miratimi i ligjeve të cilësuar sipas kalendarit të punimeve parlamentare.