E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mançesteri, një e shtunë e “mallkuar” ndaj Njukasëll

ANGLI- Edhe pse nuk zbriti në fushë, Mançester Siti ka kaluar një pasdite të këndshme sot, pasi rivali kryesor në betejën për titullin kampion, Mançester Junajtid, ka barazuar 1-1 në “Old Traford” me Njukasëllin. Në javën e 13-të, “Djajtë e Kuq” regjistrojnë një tjetër bllof dhe nëse Siti arrin të fitojë sot ndaj Liverpulit, atëherë për skuadrën e Mançinit do të ishte një arratisje e vërtetë. E shtuna ka qenë e mallkuar për Mançester Junajtid, që pas barazimit 2-2 me Benfikën, që vuri në rrezik kualifikimin në Champions, tashmë rrezikon të kompromentojë edhe shanset për titullin kampion. Por, barazimi i sotëm ka qenë më i padrejtë se kurrë. Mançesteri ka sulmuar përgjatë gjithë ndeshjes dhe ka krijuar një seri rastesh, por topi nuk ka dashur të hyjë në rrjetë. Po ashtu, penalltia që solli golin e barazimit për Njukasëllin, ishte totalisht inekzistente. Portieri Krul ka bërë disa pritje spektakolare, duke i mohuar fitoren Junajtid. Po ashtu, Jang ka goditur shtyllën, ndërsa Hernandez nuk ka arritur të shënojë golin e avantazhit të dyfishtë. Mançesteri shënoi vetëm 4 minuta nga nisja e pjesës së dytë, por Njukasëll barazoi me Demba Ba, falë një penalltie të shpikut nga arbitri. Më pas, Runi, Jang, Nani e Vidiç, kanë patur raste të pastra me radhë, por i kanë shpërdoruar. Në minutat e fundit u fut në lojë edhe Makeda, që gjithashtu bëri si shokët e ekipit, duke humbur një rast nga një pozicion ideal.

Ndeshjet
Ndërsa ka gabuar Mançesteri, nuk e kanë bërë këtë Totenhemi e Çelsi. Skuadra e Herri Redknap mposhti 3-1 në transfertë Uest Bromuiç Albion, ndonëse e pa veten në disavantazh. Për vendasit realizoi Mulumbu, më pas barazoi Adebajor pas një penalltie që u grushtua fillimisht nga portieri Ben Foster. Në pjesën e dytë ishte Defo e Adebajor që i dhanë fitoren Totenhemit. Ndërkohë, Çelsi ka zgjidhur gjithçka që në pjesën e parë në ndeshjen ndaj Ulvs. Blutë e Londrës realizuan me Xhon Terrin, Daniel Starrixh e Huan Matën, duke mbyllur shumë shpejt llogaritë me sfidën. Ndërkohë, ka frenuar Arsenali, që pas pesë fitoresh radhazi në kampionat, dje është ndalur në një barazim 1-1 me Fulhamin në derbi. Tomas Vermalen ka bërë gjithçka në këtë ndeshje, duke shënuar fillimisht një autogol e më pas golin e barazimit për Arsenalin. Ndërkohë, nga rezultatet e djeshme spikat rikthimi te fitorja i Uiganit, që mundi 2-1 në transfertë Sandërlendin. Kjo disfatë duket se do t’i kushtojë shumë skuadrës vendase e sidomos trajnerit të saj Stiv Brus. Ka fituar edhe Everton në fushën e Boltonit si edhe Noruiç ndaj QPR. Java e 13-të do të përfundojë ditën e sotme, me ndeshjet Suonsi-Aston Vila dhe Liverpul-Mançester Siti.

ANGLI
Stouk-Blekbërn 3-1
Man.UTD-Njukasëll 1-1
Çelsi-Ulvs 3-0
Uest Brom-Totenhem 1-3
Sandërlend-Uigan 1-2
Bolton-Everton 0-2
Noruiç-QPR 2-1
Arsenal-Fulham 1-1
Sot
Suonsi-A.Vila
Liverpul-Man.Siti
RENDITJA
Man.Siti 34
Man.UTD 29
Totenhem 28
Njukasëll 26
Çelsi 25
Arsenal 23
Liverpul 22
Everton 16
Noruiç 16
A.Vila 15
Stouk 15
QPR 15
Uest Brom 14
Suonsi 13
Fulham 12
Sandërlend 11
Ulvs 11
Uigan 9
Bolton 9
Blekbërn 7
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›