E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ksamil, arrestohen tre personat që kundërshtuan ndërtimorët

Operacioni Vazhdon me intensitet shembja e objekteve pa leje në qytezën turistike

Dje Ksamili ka qenë i heshtur dhe i mbështjellë nga dhimbja e humbjes së madhe të ndërtimeve. Edhe pse ka qenë më e plotë vetëdija se ato ndërtime janë ngritur "partizançe" e duke marrë përsipër riskun, në ditën e dytë të tij, operacioni spastrues i INUK nga ndërtimet e klasifikuara të paligjshme është zhvilluar pa reagime bërtitëse të banorëve dhe pa sharje e mallkime, si dhe pa dalje përpara fadromave. Na thanë se ky "normalitet" në punën e fadromave ka ardhur edhe se tre banorë të Ksamilit mbrëmjen e të hënës janë shoqëruar për në Komisariatin e Policisë në Sarandë dhe pas kësaj shtetasit Robert çela 30 vjeç, Bledar Dedaj 26 vjeç dhe Fatjon Pazi 29 vjeç, janë arrestuar, të dyshuar si autorë të veprës penale “kundërshtim i punonjësit të policisë”. Burimet policore sqaruan se ata janë identifikuar që kanë qëlluar me gurë mbi fadromën dhe mbi dy efektivë të policisë në momentin kur mjetet operacionale ishin duke kryer prishjen e objekteve pa leje.
Zona ku janë përqendruar prishjet ditën e djeshme ka qenë e ashtuquajtura "lagjja e tepelenasve", që përfshihet në 40-hektarëshin në krahun e Liqenit të Butrintit. Fadroma ka shembur objekte në ndërtim edhe më të larta se 2-3 kate dhe orientimi i prishjeve ka qenë vetëm harta, referuar fotografimit ajror, pa u nisur dhe pa njohur fare emra të personave të cilëve u përkasin ndërtimet e identifikuara si të paligjshme. Janë prishur godina tre e katërkatëshe, përveç mjaft të tjerave me lartësi më të vogël. Një prej objekteve ka qenë pjesë lokali në katin e parë, ndërsa nuk është prekur pjesa që ka destinacion banimi.

Së bashku me 15 objektet e prishura dje, shkon në 50 numri i përgjithshëm i objekteve pa leje që janë shembur. Drejtori i INUK-ut, Gjergji Bojaxhi, ka siguruar për vijimësinë e operacionit edhe ditën e sotme në Ksamil. Pas punës së ditës, mjetet e rënda, të përfshira në operacion, transportohen dhe dislokohen në afërsi të Sarandës, për të mos krijuar asnjë precedent të veprimit të banorëve mbi to.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›