E Shtunë, 31 Tetor 2026

Protesta e paligjshme para fabrikës së çimentos, procedohet 48-vjeçari



Krujë – Pas një proteste me pjesëmarrjen e disa dhjetëra personave, të zhvilluar mëngjesin e dy ditëve më parë përpara Fabrikës së Çimentos në Fushë Krujë, policia ka proceduar penalisht një organizator. Burime zyrtare të policisë së Komisariatit të Krujës thanë se ka filluar procedimi penal në gjendje të lirë në ngarkim të 48-vjeçarit Fatmir Zalla, lindur dhe banues në fshatin Zall-Krujë, me arsim të lartë. “Procedimi penal ndaj të dyshuarit erdhi pasi dyshohet se ai ka qenë organizator i një proteste të paligjshme me pjesëmarrjen e 40 personave, banorë të fshatit Zall-Krujë. Protesta u organizua para hyrjes së Fabrikës së Çimentos në Fushë-Krujë, duke mos lejuar hyrjen e punonjësve, personelit dhe automjeteve në fabrikë”, - deklaroi policia vendore. Ajo pranoi se arsyeja e kësaj proteste ishte ndotja e ambientit, por shtoi se nuk ngurroi të ndiqte penalisht 48-vjeçarin për veprën penale “Organizim dhe pjesëmarrje në grumbullime e manifestime të paligjshme”.

Denoncohet për grabitje, policia hedh dyshimin për kallëzim të rremë

Mamurras – Katër ditë më parë, në Stacionin e Policisë Mamurras, është paraqitur për të bërë kallëzim penal 28-vjeçari Bledar Laca, lindur dhe banues në lagjen Kodër-Kamzë të Rrethit Tiranë. Sipas të riut, në aksin e vjetër Laç-Mamurras, në afërsi të fshatit Zhejë, në kohën kur lëvizte me automjetin tip “Benz” frigorifer, me targa TR 7416 P, në pronësi të firmës “Sebi” sh.p.k., dy persona të panjohur, që udhëtonin me një motor, i kanë bërë shenjë të ndalojë. “Në këto momente, Bledar Laca ka ndalur mjetin dhe njëri nga personat, sipas tij, e ka kërcënuar dhe i ka kërkuar t’i jepte paratë që kishte me vete”, - citoi policia denoncimin e të riut. “Kallëzuesi pretendon se u ka dhënë dy milionë lekë të vjetra, para që, sipas tij, kanë qenë të xhiros së mallit të shitur të firmës së prodhimit e shitjes së sallameve “Sebi”, - detajon policia. Në këtë pikë, Drejtoria e Policisë së Qarkut Lezhë thotë se në kallëzimin e bërë nga Bledar Laca nuk ka të theksuar se personat që kanë kryer vjedhjen të kenë qenë të maskuar apo të armatosur.
“Gjithashtu theksojmë se thëniet e kallëzuesit gjatë marrjes në pyetje disa herë nga ana e grupit hetimor kanë qenë kontradiktore, gjë që lë të dyshohet për vërtetësinë e ndodhisë së ngjarjes”, - deklaroi policia. Në vijimësi të hetimeve të kryera mbi rastin në fjalë është marrë në pyetje dhe pronari i firmës ku punon kallëzuesi. Në deklarimin e tij, pronari shprehet se malli që ka pasur me vete në furgon sikur të ishte shitur i tëri arrin në vlerën e rreth 50.000 lekëve të reja, gjë që hedh poshtë pretendimet e kallëzuesit Bledar Laca. Policia tha se shifra që pretendohet të jetë vjedhur është sa xhiroja e punës dyjavore në dyqanin e pronarit të firmës “Sebi” dhe jo e një dite të vetme që cilësohet në kallëzim. Sakaq, bëhet e ditur se po vazhdojnë hetimet për cilësimin juridik të veprës penale, për të konkluduar nëse jemi përpara veprës penale të kallëzimit të rremë apo të vjedhjes së kryer në bashkëpunim. Në vijimësi të hetimit, materialet i kanë kaluar edhe Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin.

28 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›