“Kthimi i trurit” në atdhe, Berisha certifikon 73 përfituesit e parë
Programi i qeverisë “Berisha”, “Brain Gain”, për kthimin në atdhe të studentëve që janë diplomuar jashtë, ka rikthyer në Shqipëri 73 të diplomuar. Ditën e djeshme është realizuar edhe ceremonia e certifikimit të përfituesve të parë nga ky program, në të cilën ka qenë i pranishëm edhe kryeministri Sali Berisha. “Brain Gain” është një nismë e qeverisë me PNUD-in. 73 veta që kanë përfunduar studimet e masterit apo të doktoraturës jashtë shtetit është grupi i parë i përfituesve të programit “Brain Gain”, ose e thënë ndryshe, i atyre që do të kthehen në Shqipëri për të nisur punën në administratën publike. Për kryeministrin Berisha, kthimi i trurit në Shqipëri është një nga prioritete e Ekzekutivit, edhe pse numri 73 që i është përgjigjur kësaj thirrjeje është vetëm një hap i parë. “Konkretizon rezultatin e suksesshëm të rikthimit në vend të trurit të këtij kombi dhe përkushtimin ndaj këtij vendi për zhvillimin e tij. Fakti që një kontingjent prej 73 intelektualësh dhe studiuesish i përgjigjen këtij programi, është jashtëzakonisht pozitiv”, - tha Berisha. Duke lënë të kuptohet se të talentuarit dhe të diplomuarit që do të kthehen në Shqipëri do të zënë vendet e asaj pjese të administratës që nuk është e kualifikuar sa duhet, Berisha tha se një nismë e tillë duhet të gjejë mbështetje edhe nga universitetet private dhe publike, që t’i hapin dyert kësaj kategorie. Nisma e qeverisë, me mbështetjen e PNUD-it, e ka zanafillën një vit më parë dhe synon nxitjen e kthimit të trurit në Shqipëri për të investuar të gjitha njohuritë e marra jashtë vendit.
28 Mars 2009