E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fituesit e universiteteve, si do të bëhet regjistrimi këtë vit



Jonida Tashi

Regjistrimi i kandidatëve fitues për në universitet do të nisë në muajin shtator. Lajmi bëhet i ditur nga Ministria e Arsimit, e cila sqaron se kandidatët duhet të kenë kujdes me procedurat e regjistrimit në Institucionet publike të Arsimit të Lartë (IAL), proces që do të kryhet, sipas parimit Meritë-Preferencë (MeP). Regjistrimi i studentëve do të kryhet, si një vit më parë, në dy faza kryesore: regjistrimi paraprak dhe regjistrimi përfundimtar. Pasi të shpallet lista e fituesve me renditjen fillestare të të gjithë kandidatëve në programet e studimit (degët) përkatëse, duhet të bëhet regjistrimi paraprak pranë sekretarive të IAL-ve. Ministria e Arsimit, bën të ditur se këtë vit, publikimi i emrave fitues, do të bëhet në fillim të muajit shtator, sipas kuotave të përcaktuara nga universitetet dhe të miratuara nga Këshilli i Ministrave. Por me rezultatet e dy provimeve me zgjedhje, maturantët do të njihen në fund të muajit korrik. Pas shpalljes së rezultateve për provimet me zgjedhje, do të vijojë procesi i përpunimit të të dhënave përkatëse për të gjithë komponentët e Maturës Shtetërore, duke përfshirë mesataren e shkollës së mesme dhe katër provimet e Maturës. Kjo procedurë, do të bëjë të mundur detajimin e listave me emrat fitues të maturantëve, që do të kenë të drejtë të vijojnë studimet e larta për vitin akademik 2008-2009.
Regjistrimi
Regjistrimi paraprak është i detyrueshëm brenda afatit kohor të përcaktuar nga MASH dhe nëse nuk kryhet, maturanti humbet të drejtën për të vazhduar më tej. Pas regjistrimit paraprak, hiqen nga lista të gjithë kandidatët që nuk do të figurojnë të regjistruar për arsye të ndryshme dhe shpallet lista e re me fituesit përfundimtarë. Ata kandidatë, që në listën për regjistrimin përfundimtar do të jenë fitues në një program studimi tjetër nga ai i regjistrimit paraprak, duhet detyrimisht të ç’regjistrohen dhe të regjistrohen në programin e studimit ku kanë dalë fitues sipas listës përfundimtare. Nëse maturantët nuk bëjnë regjistrimin përfundimtar, humbasin të drejtën për të vazhduar shkollën e lartë. Në të dyja rastet njoftimin se në cilën preferencë apo program studimi ka dalë fitues, maturanti e merr në shkollën e tij të mesme.
Vendet bosh
MASH-i sqaron se procesi i regjistrimit kryhet me dy faza,
për të mësuar vendet bosh si dhe për të evituar bllokimin e kuotave kërkohet regjistrimi paraprak. Sipas MASH-it, shumë maturantë të regjistruar për në IAL tona publike të shpallur fitues gjatë fazës paraprake, vendosin të konkurojnë për studime jashtë vendit dhe largohen. Ndërsa kandidatë të tjerë të regjistruar për në IAL tona publike vendosin të ndjekin studime në universitete private, por ka edhe kandidatë të tjerë që nuk dëshirojnë më të vazhdojnë studimet e larta. Të gjithë këta kandidatë lënë kuota vakante (vende bosh) të cilat plotësohen nga kandidatë të tjerë. Pikërisht, për të marrë këtë informacion dhe për të evituar bllokimin e kuotave kërkohet regjistrimi paraprak. Pas marrjes së këtij informacioni, hiqen nga lista të gjithë kandidatët që nuk do të figurojnë të regjistruar paraprakisht brenda afatit kohor të përcaktuar. Vitin e kaluar, lista e kandidatëve fitues të regjistrimit përfundimtar tregoi se: Të gjithë kandidatët që kishin fituar në preferencën e tyre të parë, mbeten po aty fitues. Pra sipas parimit Meritë-Preferencë asnjë kandidat nuk zbret në preferencë. Shumica e fituesve në preferenca të tjera, mbeten fitues në po ato preferenca ku ishin shpallur fitues në regjistrimin paraprak. Një pjesë e fituesve, në sajë të vendeve bosh nga mosregjistrimi në fazën e parë, u ngjitën në preferencë. Për shembull, nëse në regjistrimin paraprak ishin shpallur fitues në degën e shtatë, u ngjitën në preferencën e gjashtë apo të pestë. Por pati edhe nga ata kandidatë që nuk ishin shpallur fitues në regjistrimin paraprak dhe u shpallën fitues në regjistrimin përfundimtar, falë vendeve bosh të lëna nga regjistrimi paraprak.

Dokumentet për regjistrimin paraprak
Kandidatët fitues do të bëjnë regjistrimin e tyre paraprak në programin e studimit ku janë shpallur paraprakisht fitues pranë sekretarive të Fakulteteve në muajin shtator në datat e përcaktuara nga MASH. Regjistrimi fillon nga ora 08.00 e mëngjesit deri në orën 18.00 të mbrëmjes.
Për regjistrimin paraprak, kandidati duhet të paraqitet personalisht pranë sekretarive dhe të dorëzojë dosjen individuale, me dokumentet origjinale të mëposhtme:
Dëftesë pjekurie
Dokument identifikimi dhe fotokopje të tij. Në dosje do të mbahet vetëm fotokopja e dokumentit të identifikimit
Dy fotografi
Në kryerjen e procedurës së regjistrimit paraprak, sekretaritë e fakulteteve mbajnë regjistër të veçantë, ku kandidatët fitues nënshkruajnë në momentin e regjistrimit për dorëzimin e dokumenteve, duke shënuar datën dhe orën e regjistrimit
Sekretaria duhet ta pajisë kandidatin që bën regjistrimin paraprak me një fletë-regjistrim i-paraprak, ku të shënohet numri i regjistrit, emri i kandidatit, si dhe data dhe ora e regjistrimit
Fletë-regjistrimi-paraprak duhet të jetë i nënshkruar nga dekani dhe kryesekretarja e Fakultetit dhe e vulosur

14 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›