E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aksidentet në punë, ISHP: “Inspektorët duhet të jenë pjesë e grupit hetimor”



Inspektoriati Shtetëror i Punës (ISHP) i ka dorëzuar një kërkesë zyrtare Prokurorisë së Përgjithshme për pjesëmarrjen e inspektorëve të punës në grupet hetimore të ngritura pas aksidenteve në punë. Sipas ISHP-së, përfshirja e inspektorëve në proceset hetimore lidhet me faktin se mungesa e deritanishme e specialistëve në gjykimin e rasteve të aksidenteve me pasojë jetën në punë, ka sjellë vendime dhe masa fiktive. Ndërsa prania e një specialisti të punës në hetime do të vinte para përgjegjësisë firmën e ndërtimit duke e ndëshkuar edhe përmes ligjit nëse nuk siguron jetën e punëtorit. ISHP bën të ditur se vetëm për gjashtëmujorin e parë të këtij viti janë evidentuar 56 aksidente në punë, nga të cilat 7 raste me pasojë vdekjen. Ndërsa ne vitin 2007 numëroheshin 111 aksidente, nga të cilat 26 me pasojë vdekje. Të dhënat e ISHP-së tregojnë se aksidentet në punë përgjithësisht ndodhin nga mungesa e kushteve të punës, përdorimi i teknologjive të vjetra, moszbatimi i rregullave të sigurimit teknik, niveli i ulët i kualifikimit të punëmarrësve, për të cilat ISHP, u kërkon të gjitha subjekteve që të marrin masa.

Ndiqet penalisht tekniku i firmës ndërtuese që shkaktoi plagosjen e një punëtori

Durrës- Ndiqet penalisht tekniku i firmës ndërtuese B-B Group, e cila po ndërton një pallat në lagjen Nr.6 në Durrës. Prokuroria e Durrësit filloi procedimin penal në gjendje të lirë ndaj shtetasit Jasif Çicolli, i lindur në Përmet dhe banues në lagjen Nr.5 Durrës, me arsim të mesëm dhe i padënuar më parë, i cili ishte punësuar si teknik pranë firmës B-B Group. Kjo firmë po ndërton një pallat në lagjen Nr.6 në qytetin e Durrësit. Procedimi penal ndaj tij filloi për arsye se më datë 11.07.2008, gjatë punës, ka shkelur rregullat e mbrojtjes në punë dhe për pasojë ka mbetur i plagosur lehtë punonjësi i firmës së Kabllorit dhe Albtelekom, shtetasi A. Th., 23 vjeç. Materialet proceduriale për veprën penale të shkeljes së rregullave të mbrojtjes në punë iu kaluan për ndjekje Prokurorisë së Rrethit Durrës.

14 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›