E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtëpia e Themistokli Gërmenjit mollë sherri mes pronarëve të rinj dhe të vjetër

11/08/2010 Dokumentet e pronësisë mbesin për zgjidhje në gjykatë

KORÇË- Shtëpia e patriotit Themistokli Gërmenji është shndërruar në mollë sherri mes pronarëve të rinj dhe të vjetër. Tashmë konflikti ka mbetur i pazgjidhur mes Ilir Vocit, i cili aktualisht zotëron si bashkëpronar pjesën më të madhe të saj, dhe familjes Llambi Dhimoshi, që gjithashtu zotëron një pjesë të ndërtesës. Mosmarrëveshjet kanë lindur që nga mesi i vitit 2006 dhe që atëherë nuk ka pasur një zgjidhje përfundimtare. Për këtë arsye sërish mes Ilir Vocit dhe familjes Dhimoshi pati një konflikt të ri mes tyre, çka solli denoncime në polici nga palët dhe pakënaqësitë të tjera mes tyre, madje edhe reagime më të forta prej tyre.

Policia

Burimet pranë Drejtorisë së Policisë të qarkut të Korçës bënë të ditur se në ngarkim të shtetasve Llambi Dhimoshi dhe bashkëshortes së tij, shtetases Zhaneta Dhimoshi, filloi procedimi penal në gjendje të lirë për veprën penale të dhunimit të banesës dhe dëmtimeve të tjera me dashje. Sipas policisë, dy shtetasit e mësipërm ishin grindur për probleme bashkëpronësie me pronarin e vilës “Themistokli”, shtetasin Ilir Voci. Ndërkaq nga ana e policisë u kryen edhe veprimet hetimore procedurale dhe materialet i kaluan prokurorisë së rrethit gjyqësor të Korçës. Megjithatë, duket se edhe ky denoncim nuk ka çuar në zgjidhjen e konfliktit, sepse sipas familjes Dhimoshi ata nuk mund t’i pengojë askush për të hyrë në një banesë që në të njëjtën kohë është edhe pronë e tyre, madje familja Dhimoshi pretendon se ka në pronësi të saj gjysmën e shtëpisë së Themistokli Gërmenjit.

Pretendimet e familjes Dhimoshi

Sipas familjes Dhimoshi, shkak për konflikt u bë një kontratë e lidhur mes pronarëve të kësaj shtëpie dhe qiramarrësit Ilir Voci. Kjo kontratë duhej të skadonte më 7 gusht 2006, por në përfundim të kësaj kontrate 10-vjeçare qiramarrësi kishte përfunduar si bashkëpronar përmes një akti dhurimi që i ishte bërë nga njëri prej bashkëpronarëve të shtëpisë. “Patrioti Themistokli Gërmenji nuk pati fëmijë, ndaj për këtë arsye ai ua dhuroi mbesave të tij. Megjithatë, ne vazhdojmë të jemi bashkëpronarë në këtë ndërtesë dhe veç kësaj nuk kemi përfituar asgjë që nga dita e prishjes së kontratës në gusht të vitit 2006, çka do të thotë se për 4 vjet me radhe (2006–2010) duhet të marrim atë çfarë na takon, sepse shtëpia e Themistokliut është shfrytëzuar si kafene, pra kërkojmë vlerën e përdorimit, e cila tashmë shkon në 26 mijë euro”, - thonë shtetasit Dhimoshi. Veç sa më sipër familja Dhimoshi, si pasardhëse e Themistokli Gërmenjit, kërkon që kjo banesë, monument kulture i kategorisë së parë, të funksionojë si muze dhe jo si kafene, sepse kjo ndërtesë ruan vlera të mëdha historike për qarkun e Korçës e më gjerë. Gjithashtu familja Dhimoshi pretendon se ka humbur gjithë inventari i kësaj banese dhe reliktet e Themistokli Gërmenjit.

Ilir Voci

Ndërkaq Ilir Voci në lidhje me këtë banesë u shpreh se zotëron gjithë dokumentacionin e nevojshëm zyrtar dhe ligjor si pronar i kësaj shtëpie. Madje, ai theksoi se ruan të gjitha koleksionet e banesës. “Duke qenë në të njëjtën kohë edhe aksioneri më i madh i kësaj shtëpie, disponoj edhe kontratën që kam lidhur me bashkëpronarët e vjetër. Jam gati të vë në dispozicion të kujtdo të gjitha dokumentet që tregojnë se jam pronar i saj. Fal investimeve të kryera, ky muze tashmë ka pasuruar vlerat e tij dhe është kthyer në një krenari për qytetin”, - tha Voci. Ndërkaq ai mohoi që të kishte pasur dijeni se edhe familja Dhimoshi të kishte dokumente bashkëpronësie mbi shtëpinë e patriotit Themistokli Gërmenji. Gjithsesi, duket se ballafaqimi i dokumentacionit do t’i japë secilit pretendues atë çka i takon.

Vepror Hasani

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›