E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pamuk, në dëshpërimin Lindje-Perëndim

Romani që e bëri shumë shpejt të njohur nobelistin Orhan Pamuk jashtë kufijve të Turqisë, “Kështjella e bardhë”, vjen në shqip e përkthyer nga Drita Citaku, botim ekskluziv i “Skanderbeg books”. Roman i shkurtër i cilësuar si antidoda për dëshpërimin Lindje-Perëndim është i vlerësuar për meditimin elegant, që na shfaqet me një dialog të lirë rreth modernizmit dhe ironisë së tij

Pamuk, në dëshpërimin Lindje-Perëndim

I talentuar në mënyrë krejt ekstravagante. Ai është shumë, shumë prodhimtar... Ky vlerësim mediatik do të shpërthente për nobelistin e 2006-s, Orhan Pamuk, pas njohjes me veprën e parë botuar në anglisht. Romani është “Kështjella e bardhë”, i botuar në origjinal në vitin 1985, që e bëri Pamukun shumë shpejt të njohur jashtë kufijve të Turqisë. Këtë vepër lexuesi shqiptar do ta ketë në dorë vetëm tani. Shtëpia botuese “Skanderbeg boks”, që mban ekskluzivitetin e këtij shkrimtari, nga dita e djeshme, ka hedhur në treg romanin e shkurtër “Kështjella e bardhë”, e përkthyer në shqip nga Drita Citaku.

Antidoda për dëshpërimin Lindje-Perëndim, romani i tretë që na vjen nga Pamuku në shqip, është i vlerësuar për meditimin elegant, që na shfaqet me një dialog të lirë rreth modernizmit dhe ironisë së tij.

Rrëfyesi në vepër është një dijetar dhe inxhinier i ri venecian, i rrëmbyer nga turqit gjatë udhëtimit të tij me anije nga Venecia dhe Napoli. Turqit e dërgojnë atë rob në Stamboll, ku i duhet të mbijetojë një jete të re e të panjohur. Është fjala për një ngjarje të vendosur në Stambollin e shekullit të 17-të. Dijetari i ri kthehet shpejt në skllav të një astrologu të parëndësishëm, i thirrur “Profesor”. Ky i fundit i është përkushtuar ideve mbi shpjegimin e përparësisë së Perandorisë Osmane ndaj Evropës, përmes mjeshtërive shkencore e teknologjike, që nisin nga shkencat mjekësore, deri tek ato astronomike. Për këtë, ai do të shfrytëzojë edhe mendjen e ditur të skllavit të tij, duke vendosur me të raporte që shpesh humbasin në kufijtë e njeriut dhe hijes së tij. Veç kësaj, ai ka edhe pamje pothuajse të njëjtë fizike, si edhe po atë moshë të rrëfyesit tonë të paemër evropian. Por pas një aventure të gjatë shpikjesh e dështimesh, suksesesh, adhurimi dhe urrejtjeje të heshtur, Profesori fillon të dyshojë se, përse ai dhe skllavi i tij, të cilët i kanë dhënë aq shumë njëri-tjetrit dhe kanë ndarë aq fshehtësira, të mos mund të këmbejnë edhe identitetet mes tyre. “Kështjella e bardhë” është një triumf i imagjinatës, libër i një nënteksti të fuqishëm, një rrëfim plot laryshi dhe intrigë njerëzore, vazhdim i idesë unikale të Orhan Pamuk mbi ekuilibrin e brishtë të botës mes Lindjes dhe Perëndimit.

Shtëpia botuese “Skanderbeg books”, që ka edhe ekskluzivitetin e veprës së tij në gjuhën shqipe, ka sjellë në shqip romanet: “Unë jam e kuqja”, “Bora”, “Kështjella e bardhë”, si edhe librin me ese “Baulja e babait”. Qysh në krye të prezantimit në shqip, Orhan Pamuk ka qenë një nga autorët më të dashur të lexuesit shqiptar dhe veprat e tij kanë pasur një shitje të ndjeshme. Për herë të parë Orhan Pamuk iu prezantua lexuesit tonë në një kohë me marrjen e çmimit “Nobel në Letërsi”, në tetorin e vitit 2006, duke iu dhënë kështu mundësia për ta gjykuar dhe shijuar atë në një kohë me të gjithë lexuesit kudo në botë. Orhan Pamuk është ndër autorët më të rëndësishëm të letërsisë bashkëkohore turke, si edhe ndër më të rëndësishmit sot në botë. Vepra e tij është përkthyer në mbi 50 gjuhë dhe cilësohet një urë e rëndësishme komunikimi mes Lindjes dhe Perëndimit. Në vjeshtën e po këtij viti lexuesit shqiptar do t’i prezantohet romani i radhës “Shtëpia e heshtjes” dhe në pranverën e ardhshme romani i saposhkruar dhe i pabotuar ende në origjinal, “Muzeu i pafajësisë”. Të dyja veprat janë duke u përkthyer, për t’u ndjekur më pas nga “Jeta e re”, “Stambolli”, “Libri i zi”. Veprat e Orhan Pamuk janë përkthyer në shqip nga origjinali nga Drita Çetaku-Turdiu, njohëse e letërsisë turke bashkëkohore, veçanërisht e veprës së Orhan Pamuk.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›