E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ruli: Falen kamatëvonesat e energjisë

Ata që kanë vite pa shlyer faturat e energjisë elektrike, kanë një mundësi të mirë të paguajnë më pak se borxhi që i kanë realisht shtetit. Qeveria i çliron qytetarët nga kamatëvonesat duke u falur këtë detyrim, por me kusht që të paguajnë vlerën e faturës së energjisë së konsumuar. Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës, Genc Ruli, ka bërë publik dje vendimin e marrë nga Këshilli Mbikëqyrës i OSSH-së, për faljen e kamatëvonesave. “Është problemi i mospagimit të faturave, vetëm në rastet kur qytetarët kanë marrë fatura. Mospagimi i faturave për një kohë të gjatë, mbi të cilët zbatohet kamatëvonesa, ka një rritje progresive. Për të normalizuar dhe për të shlyer detyrimet që kanë këta qytetarë ndaj KESH-it për energjinë që ata kanë konsumuar dhe që iu është matur faktikisht, është vendosur që t’u falët kamatëvonesa dhe të paguhet detyrimi bazë”, - është shprehur ministri Ruli. Ai nuk ka bërë publike ende shifrën që arrin nga falja e kamatëvonesave, por ka pranuar se ka një vlerë të konsiderueshme. “Vlera llogaritet të jetë shumë e madhe”, - tha Ruli. Por nga ana tjetër, ministri Ruli ka nënvizuar se vendimi për faljen e kamatëvonesave është diskutuar prej kohësh nga specialistët e Ministrisë së Ekonomisë dhe KESH-i, duke hedhur poshtë faktin se një vendim i tillë merret në një kohë që OSSH-ja është në proces privatizimi. “Zbatimi i këtij vendimi nga OSSH-ja nuk është thjesht përgjigje ndaj privatizimit, është diçka e diskutuar gjatë”, - theksoi Ruli. Por pavarësisht kësaj, është i vërtetë fakti se qeveria me këtë vendim pastron llogaritë financiare të KESH-it, që është në proces privatizimi për ato të ardhura që korporata nuk ka mundur të mbledhë në vite, paaftësi kjo që është “paguar” gjithnjë nga qytetarët e ndershëm të cilët kanë shlyer detyrimin ndaj shtetit e nga ana tjetër, janë “shpërblyer” me orë errësire.

Burime zyrtare nga OSSH-ja bëjnë me dije se ende nuk është bërë një llogaritje lidhur me shifrën që do të amnistohet nga shteti, po ashtu, ende nuk dihet numri i familjeve që do të përfitojnë nga kjo falje.

Këshilli Mbikëqyrës i OSSH-së mori vendimin për shtyrjen e afatit të pagesës dhe arkëtimit të kamatëvonesave të detyrimeve të prapambetura të energjisë elektrike.

Ruli: Kufizimet, për shkak të remonteve

Shqipëria ka kapacitetin e mjaftueshëm për të furnizuar me energji elektrike konsumatorët e saj. Këtë e ka deklaruar dje ministri i Energjetikës, Genc Ruli, i cili theksoi se kufizimi i energjisë nuk vjen si mungesë e kapaciteteve furnizuese. “Kufizimet e ditëve të fundit në disa orë, që kanë ndodhur në disa zona dhe disa qytete, janë si shkak i remonteve që po kryhen në rrjetin e shpërndarjes”, - është shprehur Ruli. Sipas tij, kjo situatë nuk do të zgjasë shumë, pasi këto janë remonte të prapambetura dhe për pak kohë do të realizohen. Nga ana tjetër, ministri Ruli ka bërë me dije se gjatë kësaj vere energjia nuk do të mungojë si verën e kaluar. “Ne kemi kapacitetin e duhur për të furnizuar normalisht me energji konsumatorët. Kufizimet për shkak të remonteve nuk besoj se zgjasin më shumë se dy javë”, - ka theksuar ministri Ruli.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›