(Pa)mundësia e bashkimit PS - LSI
Pak kohë pas barrikadave të 15 marsit, kur dy partitë shemra të së majtës, PS dhe LSI, kaluan një muaj armëpushimi - edhe pse dikush euforikisht e konsideroi si “muaj mjalti” - intifada politike e fillimprillit duket sikur po merr revan. Si për të na bërë me dije se 3 prilli nuk është vetëm “dita e gurëve” për çiliminjtë e rrugës, por edhe për axhaminjtë e politikës së majtë.
Aty nga mesi i prillit, kur kreu i LSI-së, Ilir Meta, artikuloi qartësisht e publikisht idenë se dy blloqet e së majtës kanë mundësi bashkëpunimi paszgjedhor, drejtuesit kryesorë të “Bllokut” të kryesuar nga z. Rama u ndien realisht të zënë mat, pas një kohe të gjatë së qeni në pozicionin pat. Dhe jo vetëm kaq. Njëherazi u treguan të paaftë politikisht për të improvizuar qëndrime politike që t’i dikton momenti, si dhe për ta lënë topin në derën e rivalit. Vetëm pak orë më pas “veprimit në kohë” të lësëistëve, kreu i ylberistëve (siç e vlerëson z. Paloka kreun e parti-bashkisë) u shpreh se ky është një qëndrim i bazës së LSI-së e më në fund Ilir Meta po kthehej në bazë”.
Pas këtij qëndrimi intransigjent jo vetëm politikisht e me mungesë të theksuar politese të z. Rama, një prej analistëve e këshilltarëve mediatikë më të afërt të tij - dhe jo vetëm ai - u përpoq me të gjitha mënyrat e sofistikuara si dhe me një gjuhë të drunjtë, të zmusonte tehun e gjuhës shpatë të këtij të fundit, duke u shprehur “grafikisht” se “PS dhe LSI kanë lënë mënjanë tashmë gurët e hedhur ndaj njëri-tjetrit, për t’iu kthyer pragmatizmit politik dhe bashkimit ndaj armikut të përbashkët Berisha”. Por ja që s’ishte e thënë që kokëçarjet e dy siglave në rivalitet të epërm të merrnin fund të lumtur.
Thuajse në të njëjtën kohë, dy nga krerët më të lartë të partive simotra të PS-së dhe LSI-së i zbuluan publikisht të gjitha petët e lakrorit të gatuar me aq kujdes e delikatesë nga duart e analistëve me frizurë, impostim zanor, mimikë e gjestikulacion si të kryepartiakut ylberist. “Vota për LSI-në është votë e çuar dëm”, - u shpreh në një takim elektoral kreu cinik i PSD-së, duke nxjerrë dhe një herë shpatën për situatën, ndërsa “partitë nuk po punojnë për kohezionin e së majtës” u shpreh në një studio të hapur debati, në po në të njëjtën ditë, kreu flegmatik i socialistëve “të vërtetë” shpatëthyeri z. Koçi.
Edhe me kaq, telashet duket se nuk kanë të sosur për të majtët e etur për pushtet. Si për t’i shkuar më tej problematikës, kreu hije i PS-së, Ben Blushi, duket se ka bërë gati “thikat pas shpine në prag të rrëzimit të kreut të socialistëve” (perifrazoj Migel Morën e “El pais” kur analizonte fenomenin “Veltroni”). Do të mjaftonte vetëm një këndvështrim i kujdesshëm i debatit të këtij të fundit me z. Lulzim Basha në një studio opinionesh, për të kuptuar që më shumë se punët e jashtme të PD-së, Blushit i interesonin punët e brendshme të PS-së.
Sakaq, mes aleatëve të LSI-së si dhe mes vetë figurave qendrore të kësaj partie, elementet kohezive janë më shumë se evidente - qoftë kjo edhe për të qenë grusht bashkuar ndaj armikut brenda klase - ndërkohë që z. Rama i duhet një “abra kadabra” për të sintonizuar e harmonizuar zërat basë të Gramozit të vjetër dhe baritonë të Erionit të ri apo edhe të vjetër, në prag të përmbylljes së listave.
Dhe sa e sa të tjera derte e halle, përçarje, përplasje, prapaskena e mizanskena tregojnë se disharmonia e përkryer është rregulli që mbizotëron e që duket se do të ngrejë krye së paku deri në fund të qershorit.
Gjithsesi, ka një qëndrim të përbashkët mes këtyre dy blloqeve të së majtës, si për t’i dhënë jetë shprehjes se përjashtimi përforcon rregullin. Karta falas, për biznesin e vogël taksa falas për tre vjet, si dhe shërbimi mjekësor falas për moshën e tretë janë falasqëndrimet që i bashkojnë dy krenat e së majtës. E megjithatë, zgjedhjet nuk fitohen as “falas” dhe as “me grykën e pushkës”, moto këto që i kanë karakterizuar dhe i karakterizojnë vijueshmërisht të majtët në Shqipëri.