E Diel, 1 Nëntor 2026

Raportet ideologjike në marrëdhënie shqiptaro-greke



Vizita e Kryeministrit grek, Kostandino Karamanlis, në Tiranë është pa dyshim shprehje e raporteve shumë të mira midis dy vendeve dhe qeverive. Në fakt, marrëdhëniet mes dy vendeve nuk kanë qenë ndonjëherë më të mira se sot dhe merita pa dyshim u shkon kalave politike të dy vendeve, në mënyrë të veçantë mazhorancave dhe qeverive respektive. Në këtë sukses ka rrolin e vet edhe raporti ideologjik i politikave realizuese të këtyre marrëdhënieve. Për ta kuptuar këtë duhet të kthehemi pak pas në kohë . Historia e marrëdhënieve mes dy vendeve ka pasuar në të shumtën e kohës momente të vështira për shkak të problemeve kryesisht historike e ideologjike. Pas një periudhe të gjatë marrëdhëniesh të akullta, për të mos thënë armiqësore, për arsye ideologjike, dy vendet u përballën me realitetin e ri të krijuar pas rënies në Shqipëri të diktaturës komuniste. Ndoshta rastësisht, por dy mazhoranacave aktuale, PD-së dhe Demokracisë së Re, u ka rënë fati që të hidhnin bazën e re të marrëdhënieve mes dy vendeve në vitin 1992. Pas largimit nga pushteti të konservatorëve në Greqi marrëdhëniet mes dy vendeve kaluan një periudhë të luhatur të ndihmuar edhe nga incidente të provokuara kryesisht nga pala greke. Duhet thënë se e majta greke e drejtuar nga Papandreu (plaku) nuk i shmangu dot nuancat ideologjike dhe ndikimin e lidhjeve të vjetra me ish-komunistët shqiptarë në marrëdhëniet me Shqipërinë e qeverisur nga të djathtët gjë që çoi disa herë në kriza shumë herë artificiale, që rënduan gjithsesi mbi emigrantet shqiptarë në Greqi. Të gjithë e kujtojmë sa periudhë e turpshme, ku çdo mosmarrëveshje mes dy shteteve e qeverive pasohej nga vala e dhunës policore dhe spastrimeve (operacioneve “Fshesa”) ndaj emigrantëve shqiptarë. Kjo politikë, pothuaj dhjetëvjeçare, mbajti të tensionuar marrëdhëniet me gjithë një lloj “zbutjeje” ideologjike pas ardhjes në pushtet në Shqipëri të PS-së, por gjithsesi, asnjëherë nuk u arrit në marrëdhënie të barabarta e reciproke. Kjo edhe për shkak të një lloj inferioriteti që politika e majtë shqiptare manifestoi ndaj qeverisjes së majtë në Greqi por edhe te mungesës së seriozitetit te diplomacisë shqiptare. Mirëpo, ndryshimi i realiteteve politike në të dyja vendet që ndodhi pothuaj në të njëjtën periudhë, solli gradualisht normalizimin e marrëdhënieve në një masë të tillë që shumë pak do ta besonin 4 vjet më parë. Qeveria “Berisha” në Shqipëri e shpalli prioritet të saj integrimin euroatlantik të vendit, duke i dhënë politikes së jashtme një rëndësi të dorës së parë. Natyrisht që marrëdhëniet me Greqinë, fqinjën tonë anëtare të NATO-s dhe BE-së, u riformatuan në funksion të politikës integruese euroatlantike. Serioziteti me të cilin qeveria “Berisha” iu përgjigj reformave të kërkuara nga partnerët euroatlantikë, përfshi edhe Greqinë, sollën rritjen e imazhit ndërkombëtar të Shqipërisë, situatë që solli njëherazi edhe seriozitetin dhe rritjen e besimit në politikën e jashtme shqiptare dhe autorëve të saj. Rritja e pozitës rajonale dhe ndërkombëtare e Shqipërisë dhe hapësirave të tjera shqiptare në Ballkan ka pa dyshim ka rolin e vet në marrëdhëniet shqiptaro-greke. Klasa e re politike në Greqi, por edhe mediat dhe një pjesë e mirë e elitave kanë bërë përpjekje për një reformim të politikës së jashtme greke shpeshherë e ndikuar nga mitet dhe zhvillimet historike, duke e orientuar atë nga nacionalizmi arkaik drejt pragmatizmit dhe sidomos realitetit të ri ne rajon, ku shqiptaret përbëjnë një faktor që detyron në mos respekt, vëmendje të konsiderueshme. Greqia, në mënyrë të veçantë, jo vetëm si interesa ekonomike rajonale ( tregu mbarëshqiptar) , por edhe për problemet që ka me fqinjët e tjerë, i ka shume të rëndësishme marrëdhëniet me Shqipërinë. Ky vizion i orientuar nga realiteti, por edhe nga mentaliteti i ri politikës dhe elitave në Greqi është pa dyshim një kontribut i qeverisjes së “Nea Dhimokratisë” se z. Karamanlis. Vullneti politik i konservatorëve grekë për normalizimin dhe zhvillimin e marrëdhënieve me Shqipërinë ka qenë konsekuent dhe konkret. Ata janë promotorë dhe autorë të ratifikimit të Protokollit të Anëtarësimit në NATO dhe marrëveshjen e MSA-së me BE-në, vendime që u kaluan jo pa vështirësi në Parlamentin grek. Nga ana tjetër, edhe Shqipëria është bërë serioze në pjesën e saj të kësaj marrëdhënieje. Efikasiteti në luftën kundër trafiqeve të paligjshme si dhe reformat e tjera ndihen më drejtpërdrejt se në çdo vend evropian në Greqi. Ndërkohë që edhe serioziteti dhe luajaliteti në trajtimin e çështjeve të tjera, si ato të të drejtave të emigrantëve dhe pakicave, kanë çuar në një trajtim më njerëzor e më ligjor të emigrantëve, keqtrajtimi dhe përdorimi politik i të cilëve ka përbërë edhe problemin kryesor real në marrëdhëniet shqiptaro-greke.

Natyrisht që mes dy vendeve ka ende çështje të pazgjidhura, ku më specifikja është çështja e pronave të shqiptarëve në Greqi, por e rëndësishme është që në bisedimet për to është arritur të shmangen qëndrimet e termat nacionalistë, duke i hapur rrugë zgjidhjes juridike dhe asaj respektimit të të drejtave të njeriut.

“Shqipëria në NATO” është pa dyshim një realitet tjetër i rëndësishëm i marrëdhënieve mes dy vendeve. Qenia në aleancën ushtarake të të dy vendeve presupozon automatikisht zgjedhjen apo ekzistencën e akteve juridike e politike për marrëdhëniet e acaruara mes dy vendeve. Kjo nënkupton një qetësim apo edhe një shkëputje nga e kaluara e këtyre marrëdhënieve, si dhe përdorimin për efekte të brendshme politike të retorikës apo çështjeve nacionaliste. Me pak fjalë, marrëdhëniet greko-shqiptare janë shprehje e realitetit të ri jo vetëm rajonal e ndërkombëtar, por edhe i zhvillimeve të brendshme politike në të dy vendet. Duke përjashtuar çdo nuancë politizimi apo ideologjizimi, filozofia e njëjtë politike e bazuar tek serioziteti klasik i të djathtëve në politikëbërje dhe arritjen apo zbatimin e marrëveshjeve ka rol parësor në suksesin e marrëdhënieve Shqipëri-Greqi

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›