Paraplegjikët, hyn në fuqi rritja e pensionit
Nis mbledhja e të dhënave për shoqëruesit që do të përfitojnë pension. 3 mijë shoqërues do të sigurohen nga shteti
Hyn në fuqi vendimi i Këshillit të Ministrave për rritjen e përfitimeve ekonomike të invalidëve tetra dhe paraplegjikë. Ndërkohë, Shërbimi Social Shtetëror ka nisur punën për evidentimin e të gjithë shoqëruesve të invalidëve, të cilët do të përfitojnë sigurime shoqërore dhe shëndetësore të paguara nga shteti. Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Social, z. Mihal Naço, bëri dje të ditur në një prononcim për shtyp se masa e përfitimit të invalidëve rritet nga 12 në 16 mijë lekë.
Përfitimet
Për sa u përket shoqëruesve, Naço deklaroi se “konkretisht periudha e shërbimit si kujdestar, për personat pranë para e tetraplegjikëve, të cilët nuk janë të punësuar dhe nuk përfitojnë të ardhura nga sigurimet shoqërore, do të vlerësohet si periudhë sigurimi”. Sipas tij, kujdestarët do të përfitojnë të ardhura nga skema e sigurimit të detyrueshëm shoqëror, si pension, leje lindjeje, sigurim shëndetësor për dëmtimet në aksident, në punë dhe sëmundje profesionale.
“Shërbimi Social Shtetëror, mbështetur në informacionin e dërguar nga njësitë vendore, ka filluar punën për të hartuar listat e kujdestarëve përfitues, në bazë të të cilave do të përllogariten fondet që nevojiten për pagesën e kontributeve për këtë kategori shoqërore”, - tha drejtori Mihal Naço.
Plotësimi i kërkesave
Kërkesat e tetraplegjikëve dhe paraplegjikëve u plotësuan përpara dy javësh nga Këshilli i Ministrave. Qeveria miratoi ndryshimet e nevojshme nënligjore, duke rritur paketën higjienike, sasinë e naftës dhe duke siguruar shoqëruesit e personave me aftësi të kufizuara. Kryeministri Berisha e kishte cilësuar gjatë mbledhjes këtë veprim si një akt që tregon ndjeshmërinë e qeverisë shqiptare ndaj kësaj shtrese në nevojë. “Me ndryshimet e miratuara rritet me mbi 60 për qind trajtimi i këtij kontingjenti, krahasuar me vitin 2005”, – tha z. Berisha.
Kërkesat e tetraplegjikëve dhe paraplegjikëve që kishin hyrë në grevë urie, u plotësuan në një masë të konsiderueshme sipas specialistëve në Ministrinë e Punës. Kërkesa e tyre për naftë dhe për sigurimin e shoqëruesve u plotësua 100 për qind. Ndërsa kërkesa për rritjen e sasisë së paketës higjieno-sanitare u plotësua në masën 50 për qind.
Për sa i përket naftës së dhënë, kërkesat e tetraplegjikëve u plotësuan në masën 100 për qind. 20 personat me aftësi të kufizuara që kishin hyrë në grevë urie para një muaji, kishin kërkuar që të merrnin 80 litra naftë çdo muaj për të përballuar transportin e tyre në rrugë të afërta.