E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mediu: Të miratohet Kodi Zgjedhor, duhet një e djathtë e unifikuar

Partia Republikane zhvilloi dje takimin e Asamblesë Rajonale për Prefekturën e Vlorës, nga ku kryetari i PR-së, Fatmir Mediu, lëshoi një sinjal politik ndaj gjithë së djathtës. Në vazhdim të punës për organizimin e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2009, ku ishin prezentë anëtarë të kryesisë dhe përfaqësues të grupit parlamentar të PR-së, Mediu tha se duhet të miratohet sa më shpejt Kodi Elektoral, njëkohësisht e djathta duhet të unifikohet. Sipas kreut republikan, vonesa e miratimit të Kodit Zgjedhor po pengon punën organizative të partive politike për zgjedhjet e vitit 2009. “Ne kërkojmë që Kodi Zgjedhor të miratohet sa më shpejt, se pa një kod nuk mund të ketë funksionim normal, organizativ dhe elektoral të partive politike. Ne kemi kërkuar dhe vazhdojmë të kërkojmë që e djathta të jetë e unifikuar. Kemi kërkuar që të kemi një të djathtë ndryshe, me profil evropian”, - tha Mediu përpara anëtarëve në PR-së në Vlorë. Kreu i PR-së u ndal më tej në punën për Kodin Zgjedhor. “Kodi Zgjedhor duhet të miratohet sa më parë dhe me transparencë. Partitë e koalicionit qeverisës duhet të bashkëpunojnë në mënyrë institucionale, për të sanksionuar përgjegjësitë qeverisëse në të gjitha nivelet, por edhe bashkëpunimin elektoral dhe ndërtimin e një koalicioni, ku vota e shqiptarëve të përcaktojë peshën e çdo subjekti”, - tha ai. Në vazhdim të fjalës së tij, kryetari i PR-së, Mediu, vlerësoi zhvillimet e fundit politike dhe ndërkombëtare, të cilat, sipas tij, do të arrijnë kulmin me hyrjen e Shqipërisë në NATO. “Qeveria e koalicionit të djathtë ka jo vetëm meritën për reformat e ndërmarra për integrimin në BE, por edhe marrjen e ftesës së anëtarësimit dhe anëtarësimin e plotë në NATO, por dhe përgjegjësit konkretë për të vazhduar me këmbëngulje në bashkëpunimin me shqiptarët dhe gjithë politiken dhe reformat e thella në shërbim të vendit”, - tha më tej Mediu. Në këtë asamble u analizua dhe u programua puna për organizimin elektoral në çdo qendër votimi të çdo qyteti dhe komune që ndodhen brenda Prefekturës së Vlorës dhe propozimi i kandidatëve, të cilët do të garojnë nën siglën e PR-së.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›