Panairi i Librit, Ksera, kërkesë botuesve të kontribuojnë për bibliotekat e qendrave sociale
Ministri i Punës, Spiro Ksera, vizitoi Panairin mbarëkombëtar të Librit, të çelur më 12 nëntor në Pallatin e Kongreseve në Tiranë. Në këtë panair, për herë të parë prezantohet edhe Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta me një stendë, në të cilën prezantohen të gjitha botimet e këtij institucioni në fushën e barazisë gjinore, të drejtës së punës, studimeve të tregut të punës, zbatimit të legjislacionit, përmbledhjeve të legjislacionit, etj. Gjatë vizitës në stendat e panairit, ministri Ksera takoi dhe bisedoi me botuesit për mundësinë e bashkëpunimit të shtëpive botuese me Ministrinë e Punës dhe Shërbimin Social Shtetëror, për të realizuar ngritjen e bibliotekave cilësore në të gjitha qendrat sociale publike. Botuesit u shprehën se tashmë e kishin marrë ftesën zyrtare të Ministrisë dhe e përshëndetën iniciativën, duke treguar gatishmërinë e tyre për të ndihmuar në realizmin e saj. Në Ditën Ndërkombëtare të Moshës së Tretë, më 1 Tetor, gjatë vizitës që pati në shtëpinë e të moshuarve në Tiranë, ministri i Punës, Spiro Ksera u premtoi të moshuarve të Qendrës Ditore të Kamzës, ngritjen e një biblioteke me titujt e botimeve më të fundit. Në këtë kuadër, ministri Ksera ka kërkuar edhe ndihmën e shtëpive botuese shqiptare për ta shtrirë këtë angazhim dhe për të mundësuar ngritjen dhe pasurimin e të bibliotekave në të gjitha qendrat publike ditore dhe rezidenciale në të gjithë vendin, me qëllim që klientëve që trajtohen atyre, për veç shërbimeve cilësore u ofrohen mjetet dhe mundësitë e një jete të pasur kulturore-artistike, ku një pjesë të mirë e zë edhe leximi.
17 Nentor 2009