Spitalet pavarësisht investimeve sërish me aparatura të vjetruara
Emanuela Sako
Spitalet kanë probleme me zëvendësimin e aparaturave të vjetra me ato të reja. Nuk ka asnjë shërbim spitalor që në ambientet e veta të mos ketë aparatura të vjetra në përdorim, të cilat pavarësish investimeve sërish nuk janë zëvendësuar. Situata më problematike është në spitalet e rrethe, ku investimet në aparatura janë më të pakta se në spitalet universitare në Tiranë. Krijimi i kësaj situate shkakton probleme në dhënien e rezultateve të qarta, për pacientët që vizitohen në to. Tashmë ky problem është pranuar dhe publikisht nga drejtuesit e shërbimeve spitalore. Shpeshherë laboratorët e analizave kanë pasur paqartësira në dhënien e rezultateve të analizave. Një rast të tillë e bëri publik, pak kohë më parë Shefi i Shërbimit të Nefrologjisë në QSUT, Nestor Thereska, i cili u shprehe se laboratorët nuk janë gjithmonë të saktë në dhënien e rezultateve të analizave të kryera për pacientët. Sipas tij, kjo vjen si pasojë e disa aparaturave të vjetruara, që nuk janë në gjendje të mirë funksionale dhe si pasojë krijojnë amulli në dhënien e rezultateve. Për këtë arsye ato lënë vend për kurime të gabuara ndaj pacientëve, çka përbën problem apo rrezik për gjendjen shëndetësore të pacientëve. Raste të tilla çojnë në mjaft probleme negative të pacientëve, siç është konsumimi i tepërt dhe i padobishëm i barnave.
Laboratorët
Nëse laboratorët japin rezultatet të paqarta, atëherë situata është më problematike, pasi e gjithë kura që duhet të marrë një pacient do të jetë e gabuar. Aktualisht, në QSUT funksionojnë dy laboratorë të mëdhenj, që janë ai Imunologjik dhe Laboratori Klinik-Biokimik. Ky i fundit, gjatë vitit të kaluar ka qenë më i përmenduri për mungesat e mëdha në elementë të pajisjes. Madje gjatë një kohe të gjatë nuk janë kryer të gjitha analizat, por vetëm një pjesë e vogël e tyre. Në këta laboratorë kryhen të gjitha analizat e pacientëve që drejtohen në QSUT, në varësi të sëmundjes dhe analizave që përcaktohen nga mjeku.
Për këtë arsye lindin dhe mjaft probleme edhe në dhënien e barnave të tepërta për pacientët. Prandaj shqiptarët konsiderohen konsumatorët më të mëdhenj të barnave në Europë.
Poliklinikat
Poliklinikat dhe qendrat shëndetësore janë më problematike përsa i përket pajisjes me aparatura. Megjithëse MSH-ja ka deklaruar se do të bëjë investime në këto shërbime, si dhe situata e tyre do të përmirësohet në bazë të reformës që do të kryhet në spitalet e vendit. Edhe qytetarët që drejtohen në Poliklinikën e Specialiteteve Nr. 3 në kryeqytet kryejnë vizita me aparatura të viteve ‘40-‘50, të cilat nuk janë në funksion të plotë. Megjithëse aparaturat kanë disa dekada që janë vënë në përdorim, ato vazhdojnë të jenë në funksion të përditshëm, duke kryer vizita për qytetarët. Por problematike është vërtetësia e përcaktimit të problemeve që kanë pacientët me shëndetin. Drejtoria e Poliklinikës i ka bërë kërkesa të shpeshta Ministrisë së Shëndetësisë për të bërë zëvendësimin e pajisjeve, por ende nuk është marrë asnjë përgjigje zyrtare. Kjo situatë është bërë problematike prej vitesh dhe aktualisht nuk është bërë asgjë për pajisjen e poliklinikës me aparatura. Sipas
Spitalet në rrethe, mungesë aparaturash dhe specialistësh
Përveç mungesës së aparaturave, spitalet e rretheve kanë probleme edhe me mungesën e specialistëve. Ministria e Shëndetësisë po përgatit një strategji të re për dërgimin e specialistëve në zonat e thella të vendit. Sipas MSH-së, për plotësimin e këtyre spitaleve me specialistë do të ndiqet një taktikë e tillë, që të dërgohen specialistë nga spitalet e tjera apo mjekë të rinj, për dhënien e shërbimit mjekësor për këta banorë. Specialistët do të lidhin kontrata 6- mujore apo 1- vjeçare me Ministrinë e Shëndetësisë për qëndrimin e tyre në këto zona. Mjekët që do të lidhin kontrata do të favorizohen financiarisht. Ministrja e ka parë këtë si të vetmen mënyrë për plotësimin e zonave të largëta me personel mjekësor. Ajo është shprehur se kjo do të jetë një zgjidhje provizore, e cila do të pasohet nga një strategji tjetër, që mund të zgjidhë në mënyrën më të mirë këtë problem. Nga ana tjetër, Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor përmes politikave të stimulimit të personelit shëndetësor në zonat e thella, po synon mbulimin e plotë të shërbimit për gjithë popullatën.
17 Nentor 2009