E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE-ja shqetësohet për incidentet në Maqedoni



Bashkimi Europian ka shprehur shqetësimin lidhur me incidentet fatale gjatë zgjedhjeve në Maqedoni dhe ka bërë thirrje për përsëritjen e votimeve në zonat më problematike. Kristina Galak, zëdhënësja e përfaqësuesit të lartë të BE-së për politikën e jashtme, Havier Solana, ka kritikuar autoritetet maqedonase të cilat kishin për detyrë të merrnin masa për zbatimin e normave të zakonshme të zgjedhjeve siç janë qetësia dhe siguria. Galak u kërkoi autoriteteve të shqyrtojnë se çfarë ndodhi në të vërtetë dhe të garantojnë që incidente të tilla nuk do të përsëriten.
“Për një vend që është kaq pranë Bashkimit Europian, që do të thotë që është kandidat i Bashkimit Europian, nuk është mirë të ndodhin në një ditë zgjedhjesh incidente të një natyre siç e pamë, dhe ne do të dëshironim shumë që të merren masat e duhura”,-u shpreh Galak. E pyetur për masat që ka ndërmarrë policia për këtë çështje zëdhënësja e shefit të BE-së u bëri thirrje strukturave të sigurisë së vendit të qartësojnë gjendjen dhe të sigurojnë se këto incidente nuk do të ndodhin sërish.
Shqetësim për aktet e dhunës ka shprehur edhe komisionari europian për Zgjerimin, Oli Rehn, i cili i ka telefonuar kryeministrit maqedonas Nikolla Gruevski, për t’i shprehur shqetësimin për aktet e dhunës që u kryen gjatë zhvillimit të zgjedhjeve legjislative të parakohshme”,-njoftoi zëdhënësja e tij, Kristina Nagi.

3 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›