E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maqedoni, pikëpyetjet e koalicionit qeverisës

Koalicioni VMRO-DPMNE rezultoi fitues me 479 291 vota. Formimi i qeverisë kur të sigurohem se zgjedhjet ishin të lira”, - tha Gruevski

Zgjedhjet e përgjithshme sollën fitoren e partisë së qendrës së djathtë VMRO-DPMNE dhe koalicionit të drejtuar nga kryeministri Nikolla Gruevski. Pikëpyetjet më të mëdha, megjithatë, duket se kanë të bëjnë me partinë shqiptare që do të përfshihet në qeverinë e re. Komisioni Zgjedhor i Maqedonisë bëri të ditur se koalicioni VMRO-DPMNE është fitues me 479 291 vota. I dyti në zgjedhje doli koalicioni “DIELLI”, i kryesuar nga Lidhja Social Demokrate me 231,978 vota. Në bllokun shqiptar dy subjektet kryesore, Bashkimi Demokratik për Integrim dhe Partia Demokratike, janë shprehur se kanë fituar por Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve bëri të ditur se BDI-ja ka fituar 10 mijë vota më shumë se PDSH-ja. Partia Bashkimi Demokratik për Integrim e Ali Ahmetit fitoi 109 000 vota dhe i takojnë 14 deputetë, ndërsa Partia Demokratike Shqiptare e Menduh Thaçit fitoi 101 000 vota me 13 deputetë në Parlamentin maqedonas. Pjesëmarrja në këto zgjedhje ka qenë 58.3 për qind. Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Gruevski, e ka konsideruar fitoren si historike dhe rezultati i zgjedhjeve i mundëson atij shumicën në parlament me 62 vende. Megjithatë, ai ka bërë të ditur për mediat se qeveria e re nuk do të formohet derisa të sigurohet se në të gjitha vendvotimet është shprehur vullneti i popullit në masën 100 për qind. Parlamenti i ri, do të ngrihet mbi vullnetin e plotë të qytetarëve të Maqedonisë dhe jo dëshirës së disa grupeve kriminale të cilat kanë mbushur kutitë e votimit. “Sipas të dhënave nga Komisioni Shtetëror Zgjedhor, kanë ndodhur në 1 deri 2 për qind të vendvotimeve parregullsi. Nuk do ta formoj qeverinë e re, derisa nuk shoh se edhe në këto 1 deri 2 për qind të vendvotimeve janë mbajtur zgjedhje korrekte dhe demokratike dhe se vullneti i qytetarëve është në tërësi i shprehur. Për mua vullneti i qytetarëve është diçka e shenjtë. Vullneti i qytetarëve është obligim dhe përgjegjësi. Demokracia dhe liria janë parakusht për gjithçka tjetër në një shoqëri”, - tha kryeministri. Kushtetuta e vendit parashikon që Parlamenti i ri të grumbullohet 20 ditë pas mbajtjes së zgjedhjeve. Fitorja e zgjedhjeve u shoqërua me incidente të shumta. Liderja e Lidhjes Social-Demokrate, Radmila Sekerinska, pranoi humbjen. “I uroj koalicionit dhe VMRO-DPMNE-së për rezultatin zgjedhor”,-tha Sekerinsa. Edhe pse dhuna u konsiderua si një goditje për shpresat e Maqedonisë për tu bashkuar në Bashkimin Europian dhe NATO-n, Gruevski shprehu keqardhjen dhe e konsideroi procesin zgjedhor korrekt. Nga dhuna mbeti i vdekur një person dhe u plagosën 8 të tjerë. Autoritetet u detyruan të pezullonin votimin në 22 qendra, të cilat, sipas zëdhënësit të Komisionit Zgjedhor, përbënin vetëm 1 për qind të të gjithë qendrave të votimit. Qeveria maqedonase bëri të ditur se votimi në këto qendra do të përsëritet brenda 2 javësh. Vëzhguesit e OSBE-së janë shprehur se zgjedhjet në Maqedoni nuk i përmbushën plotësisht standardet ndërkombëtare. “Verdikti përfundimtar do të varet nga përsëritja e votimit në disa zona shqiptare”,- thanë vëzhguesit e Organizatës për Bashkëpunim dhe Siguri në Europë.

3 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›