Forumet e larta drejtuese të PS-së: “Të shkarkohet Topalli”
Leskaj: “Berisha të mos heshtë për shkeljet e kryetares së Kuvendit”. LSI: “Mbështesim mocionin, por PS-ja nuk është serioze”
Shaban Sulçe
Strukturat dhe forumet e larta drejtuese të Partisë Socialiste vendosin të kërkojnë shkarkimin e kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli. Vendimi është marrë si nga ana e Kryesisë, ashtu edhe nga Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste. Vonesat në emërimin e 5 anëtarëve të Gjykatës së Lartë si dhe pengesat ndaj hetimeve për tragjedinë e Gërdecit kanë qenë shkaqet që e kanë detyruar Partinë Socialiste të humbë durimin dhe të kërkojë shkarkimin e kryeparlamentares Topalli. Vendimi i marrë dje nga Kryesia e Partisë Socialiste është bërë publik nga anëtarja e këtij forumi, Arta Dade. “Ne deri tani kemi ngritur një grup pune me ekspertë, duke shqyrtuar shkeljet që përbëjnë shkelje flagrante të Kushtetutës për tejkalim të kompetencave nga ana e kryetares së Kuvendit Jozefina Topalli”, - u shpreh Dade.
Grupi Parlamentar
Dy kanë qenë çështjet që ka diskutuar Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste gjatë mbledhjes së djeshme. Zvarritja e hetimeve për tragjedinë e Gërdecit dhe zvarritja e dekreteve të presidentit për emërimin e 5 anëtarëve të Gjykatës së Lartë kanë qenë problemet, për të cilat deputetët socialistë kanë fajësuar pikërisht kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli.
Kryetarja e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Valentina Leskaj, tha se deputetët socialistë do të kërkonin me insistim zgjidhjen e këtyre dy çështjeve. “Është çështja e imunitetit për ish-ministrin e mbrojtjes, Mediu, e cila po futet në kalendat greke. Kjo është çështje e madhe për ne, sepse kanë vdekur 26 veta, ka shkaktuar mjaft dëme dhe ka të bëjë me një krim shtetëror, që implikon ministrin, deri dhe kryeministrin. Nuk mund të tolerojmë më zvarritjen e procedurave për heqjen e imunitetit të deputetit të Kuvendit, Mediu. Problemi i dytë ka të bëjë me çështjet e dekreteve lidhur me 5 anëtarët e Gjykatës së Lartë. Siç dihet, edhe ato po zvarriten nga kryetarja e Kuvendit, ku po ndiqen procedura jo normale dhe jo në përputhje me rregulloren e Kuvendit. Ajo që na bën përshtypje është heshtja e kryeministrit, i cili nuk ka reaguar, nuk është prononcuar për këto dy çështje madhore”, - u shpreh Leskaj.
LSI
Zëvendëskryetari i LSI-së, Pëllumb Xhufi, tha se LSI-ja do të mbështeste çdo lloj mocioni që kërkon shkarkimin e kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, pasi në shumë raste ajo ka cenuar rëndë parlamentarizmin. Por Xhufi e konsideroi kërkesën e PS-së cinike dhe aspak serioze, përderisa ishte po PS-ja ajo që bashkoi votat me PD-në për të ndryshuar Kushtetutën. “Ne ndaj zonjës Topalli do të votonim çdo lloj mocioni mosbesimi. Kemi disponimin tonë të plotë, sigurisht për gjëra shumë serioze, që zonja Topalli, në cilësinë e saj si kryetare e Parlamentit, ka kontribuar më së shumti pikërisht për atë që nuk duhet të bënte, pra për të dëmtuar e goditur parlamentarizmin. Në rastin konkret, ne, të themi të drejtën, kemi një lloj skepticizmi, me arsye, sepse na duket e çuditshme që në një stinë idili, marrëveshjesh, konsensusi midis PS-së dhe PD-së për çështje shumë të thekura, shumë të rëndësishme, shumë kritike, siç ishte çështja e ndryshimit të Kushtetutës, pra është arritur një konsensus i plotë, janë bërë plot 100 e kusur vota. Dhe momenti na duket i çuditshëm, që të ngrihet një mocion mosbesimi ndaj zonjës Topalli, e cila ka qenë një ndër protagonistet e arritjes së këtij konsensusi dhe të ndryshimeve Kushtetuese. Pra këtu tingëllon një farë ironie, do të thosha dhe cinizmi, e që na bën neve skeptikë në arritjen dhe në suksesin, aq më pak, të këtij mocioni”, - tha zëvendëskryetari i LSI-së, Pëllumb Xhufi.
3 Qershor 2008