Meta: “Berisha po kërkon të konsolidojë shtetin partiak”
Kuvendi u përfshi gjatë seancës së djeshme në një debat për vonesat në shqyrtimin e dekreteve të presidentit Topi për emërimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë. Kreu i LSI-së, Ilir Meta, gjatë fjalës së mbajtur në Kuvend, dënoi reagimin e kryeministrit Berisha duke e cilësuar atë një përpjekje për të konsoliduar shtetin partiak. Më tej Meta i bëri thirrje presidentit Topi që të mos tërhiqet përpara presioneve dhe shantazheve të maxhorancës. “Kryeministri Berisha, gjatë ditës së sotme, në mënyrë të drejtpërdrejtë, i ka kujtuar presidentit Topi se përpara se të kryejë funksionet e tij kushtetuese, duhet të konsultohet me kryetarin e partisë ku ai bënte pjesë më përpara. Mendoj që mesazhe të tilla nuk janë gjë tjetër veçse përpjekje për të konsoliduar një shtet partiak, përpjekje të cila u institucionalizuan më 21 prill, këtu në Parlament, me ndryshimet që u bënë edhe për nenin e zgjedhjes së presidentit”, - është shprehur Meta.
Ndërsa përfaqësuesit e PS-së akuzuan kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, për shfrytëzimin e postit të saj për të bllokuar shqyrtimin e dekreteve të presidentit.
Kryetarja e Grupit Parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj, u shpreh se dekretet në bazë të Kushtetutës duhet të diskutohen në Komisionin e Ligjeve dhe të mos merren në shqyrtim nga kryetarja e Kuvendit. “Unë dua të kujtoj që edhe në Kushtetutë, në nenin 36, përcaktohet mënyra e emërimit të anëtarëve. Është e vërtetë që merret pëlqimi i Kuvendit, por nuk do të thotë se është pëlqimi i kryetares së Kuvendit. Ngatërrohet kryetarja e Kuvendit me Kuvendin. Dekretet duhet të diskutohen në Komisionin e Ligjeve. Nuk duhen ngatërruar atributet e kryetares me ato të Kuvendit”, - është shprehur Leskaj, ndërsa ka shtuar që problemet e brendshme midis maxhorancës dhe presidentit nuk duhet të bëhen në kurriz të institucioneve kushtetuese. Pas deklaratës së Leskajt ka replikuar kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Astrit Patozi. Ky i fundit iu referua vendimit të Gjykatës Kushtetuese, sipas të cilit Presidenti i Republikës duhet të konsultohet me Kuvendin përpara dekretimit të anëtarëve të Gjykatës së Lartë. Patozi u shpreh se presidenti Topi duhet të kishte ndjekur një procedurë tjetër për dekretet. Ai tha se opozita u nxitua me taktikën politike të ndjekur pasi sipas tij opozita shpresoi që maxhoranca të shkelte Kushtetutën. Më tej Patozi komentoi dhe kërkesën për mocion ndaj kryetares së Kuvendit të bërë nga opozita. Sipas tij, kjo kërkesë nuk është gjë tjetër veçse një shantazh dhe mjet presioni politik. Deputetët e opozitës kërkuan përfshirjen në kalendarin e punimeve të Kuvendit edhe kërkesën e Prokurorisë për heqjen e imunitetit të ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Leskaj tha se kjo kërkesë po shtyhet qëllimisht nga kryetarja e Kuvendit dhe nga maxhoranda, ndërsa Patozi u shpreh se kërkesa e Prokurorisë po kalon në të gjitha procedurat e parashikuara parlamentare dhe nuk ka asnjë vonesë të qëllimshme.
Topalli sqaron qëndrimin e saj për dekretet
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka shpjeguar dje në seancë qëndrimin e saj ndaj dekreteve të presidentit Topi. Sipas Topallit, vendimi i saj është i bazuar në vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Duke iu referuar deklaratës së disa ditëve më parë të kreut të PS-së, sipas të cilit Topalli ka shkelur të drejtat e njeriut duke kërkuar informacion për emrat e dekretuar nga Topi, si anëtarë të Gjykatës së Lartë, ajo tha se asnjë deputeti nuk i është ndaluar asnjëherë që të kërkojë informacion për përfaqësuesit e institucioneve shtetërore. Topalli gjithashtu ka bërë të ditur se ajo nuk ka bllokuar asnjë dekret, por ia ka vënë në dispozicion Këshillit të Rregullores, Këshillit të Legjislacionit si dhe Komisionit të Ligjeve. “Asnjë dekret nuk kam bllokuar, janë te Këshilli i Rregullores, Këshilli i Legjislacionit dhe Komisioni i Ligjeve. Unë ju ftoj që ta respektoni këtë vendim të Gjykatës Kushtetuese, i cili kërkon një pëlqim midis Kuvendit dhe presidentit për emërimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë. Pjesëmarrja e Kuvendit në këtë proces ka si qëllim balancimin e pushtetit të presidentit”, - është shprehur Topalli.
3 Qershor 2008