E Shtunë, 31 Tetor 2026

Panairi ndërkombëtar i librit në Shkup prej 13 -18 prill



Në 60 stenda në 4.000 metra katrorë në Arenën Metropolis në Panairin e Shkupit, prej datës 13 deri 18 prill shtëpitë botuese nga Maqedonia dhe nga vendet e huaja do të prezantohen në Panarin e 22-të ndërkombëtar të librit. Në manifestimin me koncentrimin më të madh të veprave letrare dhe të ilustruara, vizitorëve do t'u ofrohen botime nga produksioni më i ri letrar, profesional dhe shkencor, beletristikë, libra edukativ dhe doracakë, libra me figura për fëmijë, harta gjeografike, globuse, atlase, kalendarë, galanteri letre, mjete mësimore, materiale zyre dhe pajisje bashkëkohore... Janë paralajmëruar promovime të përditshme të librave, lexime letrare dhe takim me shkrimtarë, ndërsa edhe këtë vit në kuadër të manifestimit të panairit Shoqata e botuesve dhe librashitësve të Maqedonisë - SHBLM do të ndajë shpërblime për botime më të mira midis dy panaireve, si dhe shpërblimet për bibliotekar më të mirë dhe librashitës më të mirë, ka raportuar agjencia MIA. Panairi do të hapet solemnisht në hënën në mbrëmje. Nga e marta dhe çdo ditë të ardhshme deri më 18 prill. Panairi i librit do të jetë i hapur prej orës 10 deri në orën 20.

Sokrati i Mirush Kabashit shkon në Paris
Mirush Kabashi dhe Alfred Bualoti në datën 12 prill do të ngjisin në skenën e teatrit të vëllezërve Vardari në Paris “Apologjinë e tij të Sokratit”. Mirush Kabashi me “Apologjinë e tij të Sokratit” do të flasë shqip në Paris. Me datë 12 prill një prej produksioneve më jetëgjate të Teatrit Kombëtar do të ngjitet në skenën e teatrit të Vëllezërve Vardari. Me një ftesë nga vëllezërit franko-shqiptare që zotërojnë disa teatro në Paris dhe në Francë e janë njëkohësisht producentë dhe artistë. “Organizatorët kryesorë janë vëllezërit Vardari në teatrin e të cilëve ne do të japim shfaqjen. Pavarësisht se shfaqja është luajtur shumë herë në shumë kryeqytete të botës si Vjena, Beogradi, Toronto, Kievi apo Kajro, prapë se prapë Parisi është Paris ” thotë Kabashi. Kabashi shpreson që shumë shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Paris të mund të marrin pjesë në këtë prezantim të parë të teatrit shqiptar në kryeqytetin francez.
“Mesazhet e Sokratit janë kaq aktuale sa unë besoj se do të grisin publikun që është në sallë pasi në fund të fundit secili prej atyre ndjehet paksa i keqtrajtuar nga vendi i tij. Kanë qenë këto motivet që i kanë detyruar që të lenë vendin” thotë Kabashi. Sokrati i Mirush Kabashit shkon në Paris pasi ka prekur publikun e Egjiptit, Serbisë, Ukrainës, Austrisë, Bullgarisë, Greqisë dhe Kanadasë.

12 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›