Polonia në zi, vdes presidenti Kazinski dhe zyrtarë të lartë
Presidenti polak, Leh Kazinski, bashkëshortja e tij, Maria, dhe një numër zyrtarësh të lartë të Polonisë, humbën jetën nga rrëzimi i avioni presidencial, ndërsa i afroheshin aeroportit të Smolenskut, qytet në perëndim të Rusisë. Avioni, që kishte në bord 96 persona, është përplasur ndërsa përpiqej të ulej në një mot gjithë mjegull. Të gjithë personat që gjendeshin në aeroplanin e tipit Tu-154 mbetën të vdekur. “174 persona punojnë në vendin e ngjarjes dhe mbi 50 pajisje teknike të llojeve të ndryshme gjenden aty. Ekipi i mjekëve ligjorë ka shkuar në vendin e aksidentit dhe një numër helikopterësh dhe aeroplanësh janë në gatishmëri”, deklaron Irina Andrianova, zëdhënëse e Ministrisë së Emergjencave Civile në Rusi. Pas përpjekjesh të shumta është mundur të gjendet një prej kutive të zeza të Tuipolev 154. Pajisja është gjetur në vendin e shpërthimit, pak kilometra nga aeroporti rus i Smolenskut. Nëpërmjet kutisë së zezë do të bëhet e mundur zbardhja e shkaqeve që çuan në rrëzimin e avionit që për momentin lidhen me mjegullën që kishte përfshirë zonën.
Në mesin e viktimave janë dhe guvernatori i Bankës Qendrore të Polonisë, Sllavomir Skrzipek, shefi i shtabit të ushtrisë, gjeneral Francizek Gagor, dhe zëvendësministri i jashtëm, Andrzej Kremer. Kazinski po udhëtonte drejt Rusisë për të marrë pjesë në ceremonitë përkujtimore me rastin e 70-vjetorit të masakrës së Katinit. Gjatë Luftës së Dytë Botërore mijëra oficerë dhe intelektualë polakë u ekzekutuan në pyllin e Katinit nga policia sekrete sovjetike dhe forcat e Ushtrisë së Kuqe. Televizionet ruse kanë dhënë pamje të qindra njerëzve të mbledhur te monumenti që kujton viktimat e Masakrës së Katinit, duke mbajtur flamuj polakë. Kazinski, 60 vjeç, u zgjodh president në vitin 2005, pasi mundi në zgjedhjet presidenciale kryeministrin aktual, Donald Tusk. Ai kishte deklaruar se do të garonte për një mandat të dytë presidencial në zgjedhjet e parapara për në vjeshtë. Pas ngjarjes tragjike, zëdhënësi i qeverisë njoftoi se Polonia do të zhvillojë zgjedhje të parakohshme presidenciale dhe data do të caktohet brenda dy javësh. Zgjedhjet presidenciale ishin planifikuar të mbaheshin në muajin tetor. Ndërkohë bëhen të ditura edhe detaje në lidhje me avionin e rrëzuar. Modeli “Tu-154” i prodhimit rus, që përdorej për delegacionet zyrtare polake, ishte 20 vjet i vjetër. Sipas Agjencisë së Sigurisë së Aviacionit, ka pasur 66 aksidente të aeroplanëve Tu-154, gjashtë prej të cilave kanë ndodhur në pesë vjetët e fundit. Kompania ajrore ruse “Aeroflot”, së fundi largoi nga përdorimi të gjithë aeroplanët e këtij lloji. Zyrtarët polakë thanë se prej kohësh kanë dashur zëvendësimin e aeroplanit që bën transportin e personaliteteve të larta të vendit, por ndërrimi ishte shtyrë për mungesë fondesh.
Presidenti Topi, mesazh ngushëllimi për presidentin Kazinski
Presidenti i Republikës, Bamir Topi shpreh dhimbjen dhe tronditjen e thellë për humbjen e jetës së Presidentit të Republikës së Polonisë, Leh Kazinski, bashkëshortes së tij dhe delegacionit që e shoqëronte, si pasojë e një aksident ajror në Smolensk. “Me hidhërim të thellë dhe tronditje mësova lajmin e aksidentit tragjik ku humbi jetën Presidenti Kazinski, bashkëshortja e tij dhe delegacioni zyrtar që e shoqëronte. Në emër të shtetit shqiptar dhe në emrin tim personal, ju shpreh ngushëllimet më të thella dhe më të sinqerta”, thuhet në mesazhin e presidentit Topi. Kreu shqiptar në mesazhin e tij, shprehet se i qëndron shumë pranë të gjithë popullit polak në këtë moment të vështirë.
Berisha, mesazh ngushëllimi për humbjen e presidentit polak
Kryeministri Sali Berisha i ka dërguar një telegram ngushëllimi Kryeministrit të Polonisë, zotit Donald Tusk në të cilin shprehu ngushëllimet e tij për humbjen e jetës së Presidentit të Polonisë, zotit Leh Kazinski në aksidentin tragjik ajror. Berisha shprehet se me vdekjen e tij, Polonia humbi një nga personalitetet e saj më të shquara, ndërsa BE-ja humbi një nga liderët më të rëndësishëm të vendeve anëtare. “Duke ndarë me ju dhimbjen dhe pikëllimin e thellë për këtë humbje të madhe të kombit tuaj, vdekjen e Presidentit Kazinski bashkëshortes së tij dhe zyrtarëve të tjerë të lartë shtetërorë të vendit tuaj, ju shpreh Ju dhe Qeverisë suaj, familjarëve të të ndjerit President dhe të viktimave të tjera, ngushëllimet më të thella dhe solidaritetitin time dhe të Qeverisë Shqiptare”, thuhet në mesazhin e Berishës.
Kryeparlamentarja Topalli ngushëllon homologun Komorovski
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli i ka dërguar një mesazh ngushëllimi homologut polak Bronislav Komorovski, të cilit i shprehu ngushëllimet më të thella në emër të Kuvendit të Shqipërisë, dhe në emër të saj personal, familjes së Presidentit Leh Kazinski, zonjës së parë Maria, familjeve të të gjithë deputetëve dhe delegacionit shtetëror, që u ndanë nga jeta në këtë tragjedi të madhe. Në mesazhin e ngushëllimit të Kryetares së Kuvendit ndër të tjera thuhej se:“Kjo është një ditë e vështirë për kombin polak, është një ditë shumë e trishtueshme për vendet tona. Nga ky aksident i tmerrshëm, të gjithë jemi të shokuar”. Topalli shprehet se Kazinski ishte një njeri i guximit të madh, besimtar patriot, një zë i fuqishëm i mbrojtjes së lirisë, antikomunist i paepur.
Rama, mesazh ngushëllimi për humbjen e presidentit Kazinski
Kreu i partisë Socialiste, Edi Rama ka dërguar një mesazh për vdekjen e presidentit polak Leh Kazinski, me anë të të cilit ngushëllohet familja e presidentit dhe e bashkëshkëshortes së tij. Ndër të tjera, Rama thekson se kjo është një ngjarje e rëndë dhe e dhimbshme për kombin polak. “Kjo ndarje e parakohshme nga jeta është një ngjarje e rëndë dhe e dhimbshme për kombin polak. Në këto momente të vështira dëshiroj edhe në emër të Partisë Socialiste t’i shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta familjes së Presidentit Kazinski, familjarëve të të gjitha viktimave të këtij aksidenti tragjik dhe popullit polak”, thuhet në mesazhin e ngushëllimit të kryetarit të Partisë Socialiste.
Meta, mesazh ngushëllues homologut të tij polak
Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta i ka dërguar një mesazh ngushëllimi Ministrit të Punëve të Jashtme të Republikës së Polonisë, Radoslav Sikorski. Ndër të tjera, Meta konsideron se humbja e madhe dhe e rëndë që po përjeton Polonia dhe populli mik polak, dhimbja dhe pikëllimi i madh kombëtar, i ka prekur të gjithë shqiptarët. “Në këto momente zie kombëtare për shkak të kësaj ngjarje tragjike, më lejoni t’Ju shpreh Ju dhe nëpërmjet Jush, anëtarëve të kabinetit qeveritar polak, popullit polak, familjeve që ndjejnë drejpërdrejt këtë humbje, ngushëllimet e mia më të thella e të sinqerta dhe ndjenjën e solidaritetit më të ndjerë e më vëllazëror”, shkruan zëvendëskryeministri Meta.
12 Prill 2010