E Shtunë, 31 Tetor 2026

Panairi pozitiv

Për të dymbëdhjetën herë me radhë, në Pallatin e Rinisë, të hënën mbrëma, u hap Panairi i Librit “Prishtina 2010”, eveniment kulturor ky ndër më të rëndësishmit në Kosovë.

Edhe pse është një ngjarje fund e krye kulturore, në hapje të Panairit vendin qendror e zunë politikanët. Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi dhe Ministri i Kulturës, Lutfi Haziri ishin qenë ata që e prenë shiritin, të ndihmuar nga dy shkrimtarë, Ramiz Kelmendi dhe Ridvan Dibra.

Duke i falënderuar të pranishmit, Daut Demaku, kryetar i Shoqatës së Botuesve, shkrimtar dhe baba i mendimit pozitiv në Kosovë, tha se përmes librit dhe me ndihmën e librit tejkalohet zhurma e llafologjisë, sepse fjalët në libër nuk krijojnë zhurmë. “Në qetësi, në heshtje, fjalët e zgjedhura e ndihmojnë njeriun të mësojë të fitojë njohuri dhe po ashtu në heshtje dhe qetësi, e ndihmojnë njeriun t’i tejkalojë pengesat në jetë”, tha Demaku.

Ai tha se në jetën politike secili vend duhet t’i plotësojë standardet demokratike për të qenë pjesë e botës së civilizuar, por politika, sipas tij, duhet t’i vlerësojë pyetësorët formalë, ndërkaq kultura duhet të ndikojë që të arrihen dhe plotësohen standardet esenciale që një vend e një shoqëri e bëjnë të denjë për t’iu bashkuar botës demokratike.

Kjo festë e librit në Kosovë është një hallkë e zinxhirit të gjatë e plotësimit të këtyre standardeve. Dhe ne synojmë që në këtë rrugë të jemi origjinali e të mos jemi kopja e askujt”, tha Demaku. Ai e konsideroi këtë panair si panairin më të mirë që është mbajtur ndonjëherë në Kosovë.

Ndërkaq, Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit të Kosovës, tha se kjo festë e librit është kthyer në një eveniment të rëndësishëm kulturor në Kosovë. “Panairi i Dymbëdhjetë i Librit ‘Prishtina 2010’ do të jetë për një javë rresht fokusi i dashamirëve të librit por edhe ftesa publike për vëmendje më të madhe për librin e kulturën në përgjithësi”, tha Krasniqi.

Sipas tij, panairi jo vetëm prezanton librin, por e bën atë më të afërt dhe më të kapshëm për lexuesin. Si historian që është, Krasniqi filloi të flasë për historinë e librit.
“Gjatë gjithë historisë së tij, libri ka qenë dhe mbetet ushqimi kryesor shpirtëror për shoqërinë dhe mjeti bazë për formimin arsimor, kulturor dhe profesional të njerëzve. Kosova ka një histori të veçantë dhe të dhimbshme të librit sikur edhe vet historia e popullit të saj. Libri bashkë me njerëzit ndiçej e digjej, ndalohej e falsifikohej, por qarkullonte fshehurazi dhe lexohej dorë me dorë. Me të, brezat tanë jo vetëm iluminoheshin por edhe edukoheshin, frymëzoheshin e mobilizoheshin në përpjekjet për liri dhe jetë dinjitoze”, tha Krasniqi. Ai shtoi se në Kosovën e lirë janë krijuar kushte të reja për librin dhe përhapjen e tij, por veprimtaria botuese dhe çmimet e librit mbeten akoma të shtrenjta për standardin kosovar të jetesës.

“Ne duhet të gjejmë mënyra për lehtësimin e librit nga taksat që do ta bëjnë atë më të afërt me lexuesin. Libri nuk duhet trajtuar si të gjithë mallrat”, shtoi ai.

Lutfi Haziri, ministër në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, dha dy premtime, megjithëse premtime të tilla janë dhënë disa herë dhe nuk janë mbajtur.

Ai tha se edicionin e ardhshëm të panairit, Qeveria e Kosovës në masën më të madhe do ta marrë dhe do ta mbulojë financiarisht për ta ndihmuar krijimin dhe organizimin e manifestimeve.

Mesazhi i dytë i Hazirit kishte të bënte me rishikimin buxhetor.

“Ne kemi marrë zotime dhe do ta rithemelojmë, do ta rrisim ndjeshëm fondin për botimin e librave këtë vit dhe do të planifikojmë një fond jashtëzakonisht të qëndrueshëm për botimin e librave që do të planifikohen për vitin e ardhshëm. Me këta hapa të vegjël ne do ta realizojmë një prej obligimeve tona të vogla që kemi ndaj jush, ndaj librit dhe ndaj njerëzve që duhet t’i kenë këto libra në dorë”, tha Haziri.

Megjithëse Tuneli i Kalimashit është hapë tash e disa ditë dhe nëpër të kalohet pa pikë problemi, Ministri i Kulturës i Shqipërisë, Ferdinand Xhaferi, me gjithë ftesën që i ishte bërë, nuk ishte i pranishëm. Ai kishte dërguar një telegram, të cilin e lexoi ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Islam Lauka.

Ata që duhej të flisnin që në fillim, pasi që kjo ngjarje ka të bëjë më ta, pra shkrimtarët, ishin lënë për fund. Shkrimtari Ramiz Kelmendi, i cili sivjet kremton 80 vjetorin e lindjes, fjalën e tij e filloi me një humor të zi. Ai tha se kur i kishte parë portretet e Gjergj Fishtës, Zekeria Rexhës, Anton Çettës, Nënë Terezës, të cilët të gjithë kanë ndërruar jetë, dhe në mesin e tyre e ka parë edhe portretin e vet, ka menduar mos ka vdekur edhe ai. Duke folur me respektin më të madh për këto figura, Kelmendi tha se sikur të kishte mundësi do t’i jepte 80 vitet e tij, në mënyrë që të jetonin këta kolosë.

I emocionuar ishte edhe shkrimtari tjetër, shkodrani Ridvan Dibra, i cili tha se Kosova i është gjendur afër kur ka pasur nevojë për të.

Gjatë një jave, në sallën e Pallatit të Rinisë, përveç shënimit të përvjetorëve të lartpërmendur, do të ketë edhe rreth pesëdhjetë promovime të librave.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›