Panariti: Infrastruktura e Tiranës e shkatërruar
Kryetari i Komitetit Drejtues Kombëtar (KDK), Edmond Panariti, në vazhdën e takimeve paraelektorale ka inspektuar sot rrugët e prishura në Njësinë nr. 1 në Tiranë.
Duke bashkëbiseduar me qytetarët e zonës z. Panariti është ndalur në rrugën “Sadik Petrela” ku është njohur nga afër me problematikat që shoqërojnë jetën e këtyre banorëve. Qëllimi i këtyre takimeve në zona të ndryshme të Kryeqytetit sipas z. Panariti ka si qëllim hartimin e planit të LSI-së për rregullimin e infrastrukturës së Kryeqytetit.
“Gjendja e kësaj rruge është vërtetë për të ardhur keq sepse nuk kërkohet investime të mëdha por kërkohet vetëm një angazhim më serioz nga Bashkia e Tiranës për të sistemuar jo vetëm rrugën e cila është në situatën më të keqe por edhe për të sistemuar sistemin e kanalizimeve të ujërave të zeza dhe mbetjeve urbane të komunitetit”, ka thënë ai.
"Për shkak të mungesës së një plani për rregullimin e trafikut dhe një plani konkret për sistemimin e mbetjeve urbane gjatë këtyre viteve dhe eksperimenteve që Kryetari i Bashkisë po bën me Tiranën, gjendja është rënduar", pohoi Panariti. Sipas tij, Rama ka 10 vjet që drejton Kryeqytetin e Shqipërisë dhe “nuk ka sjellë asgjë të re, përkundrazi ka përkeqësuar jetën e qytetarëve, s`ka sipërfaqe të gjelbëruara dhe ka ndotje të madhe mjedisi”.
“Kjo rrugë është bërë e pakalueshme për ne dhe të mos flasim pastaj për kalimin e makinave, gjë e cila është e pamundur", shprehen banorët. Sipas tyre, ndërhyrja e fundit për rregullimin e këtij aksi është bërë vetëm dy vjet më parë dhe sot ajo është krejtësisht jashtë funksionit.