Panariti denoncon kërcënimin ndaj shefit të shtabit elektoral
17/06/2005 Kandidati i LSI-së në zonën 38 në kryqytet, Edmond Panariti, ka denoncuar në të gjitha institucionet shqiptare dhe organizmat ndërkombëtare që veprojnë në Shqipëri incidentin e dy ditëve më parë mes kryetarit të shtabit të tij elektorale me mbështetës të kandidatit të PS-së në zonën elektorale numër 38. Përplasja mes mbështetësve të dy kandidatëve ka sjellë dhe kërcënim me armë të shefit të shtabit të LSI-së. Policia ka arrestuar përreth tre orë Geron Ibrahimin, i cili ka dalë nga komisariati numër 1 në kryeqytet vetëm pas ndërhyrjes së Panaritit. Sipas kandidatit të LSI-së, “rasti nuk është një incident, por një akt barbar i tipit fashist. Kërcënime të tilla, në një kohë që mbështetësit e mi ngjisin posterat elektorale, i ngjajnë veprimeve të falangave të fashizmit në kohën e Luftës së Dytë Botërore. Këtë veprim të ulët të mbështetësve të kandidatit socialist në zonën time elektorale e kam denoncuar në të gjitha institucionet kompetente në vend dhe kërkojmë zbatim të ligjit”. Lidhur me këtë akt, Lëvizja Socialiste për Integrim është shprehur se “këto ngjarje janë një paralajmërim i asaj çka mund të ndodhë në të ardhmen dhe gjatë ditës së votimit dhe na kthejnë në kujtesë vitet e pushtetit të Berishës kur vota grabitej dhe njerëzit goditeshin shesheve e dhunoheshin nëpër komisariate, thjesht dhe vetëm se kanë një bindje politike të ndryshme”.