Qeveria ngushëllon familjen e italianit të vrarë
17/06/2005 Në lidhje me ngjarjen e ndodhur disa ditë më parë në Varese, në Itali, ku një i ri italian humbi jetën, si pasojë e goditjes nga një i ri shqiptar, zëdhënësi i Kryeministrit, Aldrin Dalipi, në emër të qeverisë dhe popullit shqiptar u shprehu familjarëve të viktimës ngushëllime dhe solidaritet në këtë moment të vështirë. "Ne dënojmë një akt të tillë. Ne shprehim bindjen se ky është një rast i izoluar, që nuk do të cënojë marrëdhëniet e shkëlqyera mes popullit italian dhe emigrantëve shqiptarë atje, dhe më tej mes të dy popujve tanë. Ne besojmë se individë, të cilët kërkojnë t'i përdorin momente të tilla të dhimbshme për të nxitur frymën e racizmit, janë në kundërshtim të plotë me frymën qytetare, civile, dhe plotë vlera të çmueshme që Italia përçon në Evropën e re", tha zëdhënësi i Qeverisë.