E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha të kthehet në Topojë

17/06/2005  Nano sulm kandidatëve të PS-së dhe të LSI-së në qytetin verior të Kukësit

"Mund të mburren vetëm me “operacionin e Përmetit”, ku u vranë 6 shqiptarë"

Kryeministri Fatos Nano në takimin e zhvilluar në Kukës, ka sulmuar ashpër kandidatët e Partisë Demokratike dhe të LSI-së. Gjatë prezantimit të kandidatëve për deputetë të PS në Qarkun më verior të vendit, kreu i qeverisë ka sulmuar dhe kreun e PD-së, Sali Berisha, duke i kërkuar që të kthehet dhe të jetojë në Tropojë në qytetin e tij të lindjes. Nano ka inspektuar punimet në ndërtimin e aeroportit të Kukësit, i cili pritet të funksionojë më 31 tetor. Duke e cilësuar qytetin verior si një arterie të lëvizjeve dhe komunikimit masiv të sipërmarrjeve dhe iniciativave të zhvillimit Nano ka theksuar rëndësinë që ka dogana e Morinit në zhvillimin e tregtisë mes Shqipërisë dhe Kosovës. Në këtë kuadër, Nano ka premtuar përfundimin e aksit strategjik Durrës-Morinë, kjo për t'i dhënë hov zhvillimit të turizmit në bregdetin shqiptar.

Akuza

Kryetari i PS-së i ka cilësuar si të inkriminuar kandidatët e PD-së dhe LSI-së në rrethin e Kukësit. Duke iu kërkuar banorëve të këtij rrethi që të votojnë për alternativat që i ofron PS-ja, Nano tha: ”Mos i votoni ata që nuk kanë kurrfarë arritjesh dhe asnjë plan konkret për të ardhmen. Mos i votoni ata që lypin besë dhe besë nuk kanë! Njerëz që mund të mburren vetëm me “operacionin e Përmetit”, ku u vranë 6 shqiptarë dhe që fushatën tani e bëjnë me paratë tuaja që grabitën te Gjallica. E kam fjalën për Fatos Hoxhën apo Qemal Elezin, 6 vjet prefekt nga PS-ja, që tani është venë në shërbim të Berishës”. Ndërsa duke iu drejtuar Berishës, kreu i PS-së është shprehur se “nga ty Sali Berisha ne presim të vetmin akt qytetar. Të qetësosh veten dhe pasionantët e tu si Jemin Gjana, duke pranuar humbjen tënde dhe fitoren tonë e të gjithë shqiptarëve”. Për kundërshtarin e tij politik, Nano tha se “kemi përballë të njëjtin Berishë, ende i papërgjegjshëm, ende mashtrues, ende i çekuilibruar dhe i rrezikshëm. Shikoni në ka ndonjë mik pranë, apo është i rrethuar vetëm me sejmenë, që në rastin më të parë do t’ia mbathin dhe do ta lenë në baltë. Koha jote, edhe këtu në Kukës, ka perënduar z.Berisha. Prandaj, më 3 korrik vota e shqiptarëve dhe mbarë Veriut do t’i japë Berishës lejen të jetojë i lirë në këtë Shqipëri të lirë që ne kemi ndërtuar dhe po e çojmë drejt Evropës. Me këtë liri, pasaportë evropiane në xhep, sot Sali Berisha mund të shkosh edhe në Tropojë si tropojan dhe jo si kryetar i PD-së“, tha Nano.

Premtimet

Sipas Nanos, qeveria e ardhshme socialiste do të ketë prioritet për zonën e Kukësit zhvillimin e arsimit, infrastrukturës, përmirësimin e mirëqenies së njerëzve, rendit të sigurtë si dhe lëvizjes së lirë. Kreu i qeverisë ka premtuar gjithashtu se në vitin 2007 Shqipëria do të jetë anëtare e NATO-s për të aderuar më pas në Bashkimin Evropian.

Bashkëshortja e Kryeministrit nisma për të rinjtë

Xhoana Nano nis projektin "Ditët Studentore"

Xhoana Nano ka organizuar këto ditë në Tiranë projektin “Ditët Studentore” me qëllim evidentimin e problemeve, me të cilat ndeshen sot studentët në Shqipëri. Gjatë takimeve që ka zhvilluar me studentë dhe të rinj, bashkëshortja e Kryeministrit Nano ka vënë theksin në gjetjen e zgjidhjeve efikase të të gjitha problemeve që shqetësojnë të rinjtë. Zonja e Parë, Nano, u ka premtuar të rinjve që janë në qendrën rehabilituese “Emanuel”, në Vaqarr, se do të ndërmarrë nisma konkrete për riintegrimin e mëtejshëm të tyre në jetën sociale, përmes punësimit, stimulimit moral dhe integritetit shoqëror. Në kuadër të projektit “Ditë studentore”, në Qytetin Studenti janë zhvilluar takime dhe debate të hapura lidhur me çështje të tilla si, përmirësimi i procesit të mësimdhënies përmes metodave të reja didaktike, reforma në sistemin universitar shqiptar, si dhe vijueshmëria e zbatimit të Kartës së Bolonjës. Po ashtu, një vëmendje e veçantë i është kushtuar edhe diskutimeve se çfarë mund të bëhet më mirë në Qytetin Studenti, tregu i punës dhe mundesitë e të sapodiplomuarve për punësim, si dhe aktivizimin e tyre në jetën shoqërore dhe profesionale, si promotor të proceseve integruese. Projekti është finalizuar dje në mbrëmje, me një koncert festiv, të organizuar në Sheshin Demokracia në Qytetin Studenti, ku ka marrë pjesë edhe Kryeministri Fatos Nano. Ai u ka bërë thirrje të rinjve të votojnë PS-në, duke e cilësuar si forca e vetme që do të drejtojë Shqipërinë drejt BE-së.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›